Kongresi Amerikan ka miratuar aktin e ri të quajtur “Akti për demokracinë dhe prosperitetin në Ballkanin Perëndimor”, një iniciativë gjithëpërfshirëse që synon të mbështesë demokracinë, zhvillimin ekonomik dhe sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë Shqipërinë. Raporti nënvizon rëndësinë e luftës kundër korrupsionit si një element kyç për stabilitetin politik dhe prosperitetin ekonomik të rajonit. Ai gjithashtu adreson çështje të tjera strategjike, përfshirë diversifikimin e energjisë, sigurinë kibernetike, edukimin dhe zhvillimin e lidershipit të ri të Ballkanit.
Kongresi thekson nevojën për bashkëpunim të ngushtë me institucionet europiane dhe partnerët ndërkombëtarë për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm dhe të drejtë. Sipas raportit, Shqipëria është pjesë e përpjekjeve rajonale për të përmirësuar sundimin e ligjit dhe për të luftuar korrupsionin në institucionet shtetërore. Ndër seksionet e raportit të Kongresit Amerikan vihet në dukje rëndësia e vazhdimit të luftës ndaj korrupsionit, si një tregues i demokracive të shëndosha. Po ashtu, paralajmërohet se në Ballkanin Perëndimor do të vazhdojnë sanksionet ndaj individëve, që minojnë demokracinë.
Seksioni “Iniciativa kundër korrupsionit”
Raporti përqendrohet fuqishëm në luftën kundër korrupsionit, duke kërkuar krijimin e programeve kombëtare anti-korrupsion në secilin vend të Ballkanit Perëndimor. Iniciativat përfshijnë mbështetje teknike për institucionet gjyqësore dhe trupat e zbatimit të ligjit, si dhe trajnime për përmirësimin e efikasitetit dhe transparencës. Synohet forcimi i strategjive ekzistuese për të luftuar korrupsionin politik dhe administrativ, duke përfshirë mbikëqyrjen e prokurimeve publike, mbrojtjen e informacionit dhe infrastrukturën kibernetike. Media e pavarur konsiderohet një partner i rëndësishëm në zbardhjen e korrupsionit, dhe për këtë arsye Kongresi nxit trajnimin e gazetarëve investigativë.
Seksioni “Promovim i tregtisë së lire”
Kongresi nënvizon rëndësinë e promovimit të tregtisë dhe investimeve të SHBA-së në rajon, mbështetjen e integrimit rajonal dhe forcimin e ekonomive të bazuara në treg të lirë. Përfshihen masat për të mbështetur barazinë gjinore, pjesëmarrjen e të rinjve dhe zhvillimin e qeverisjes së mirë. Po ashtu, SHBA-ja synon të ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor që të plotësojnë kriteret për antarësim në Bashkimin Europian dhe NATO.
Seksioni “Sanksione të reja të mundshme për individë që minojnë demokracinë”
Kjo pjesë garanton vazhdimësinë e sanksioneve kundër individëve dhe entiteteve që kërcënojnë stabilitetin në rajon. Presidenti i SHBA-ve ka autoritetin për të vendosur, pezulluar apo përjashtuar sanksione ndaj individëve ose entiteteve që kërcënojnë stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Ai gjithashtu mund të vendosë për përjashtime për arsye humanitare, për zbatimin e ligjit, sipas rregullave të përcaktuara.
Seksioni “Zhvillim ekonomik dhe prosperiteti”
Raporti promovon një strategji pesëvjeçare për zhvillimin ekonomik dhe zhvillimet demokratike në rajon. Kjo përfshin mbështetje për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, infrastrukturën rajonale, energjinë të pastër, bujqësinë, shëndetësinë dhe fushën kibernetike. Projekti nxit gjithashtu bashkëpunimin ndërkombëtar dhe mbështetjen e grave dhe të rinjve në biznes.
Seksioni “Bashkëpunimi kulturor dhe edukativ”
Kongresi inkurajon partneritete ndëruniversitare midis SHBA-ve dhe universiteteve të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë programe trajnimi, shkëmbime akademike dhe zhvillimin e aftësive për të rinjtë dhe grupet e margjinalizuara. Ky seksion synon gjithashtu të përmirësojë edukimin dhe të forcojë lidhjet kulturore ndërmjet rajonit dhe SHBA-së.
Seksioni “Nxitje të projekteve të reja në Ballkanin Perëndimor”
Kjo iniciativë synon të zgjerojë praninë e Korpit të Paqes në Ballkanin Perëndimor, duke ofruar ndihmë për zhvillim njerëzor dhe lidhje më të ngushta midis popullsive të rajonit dhe SHBA-së. Raporti do të përfshijë një analizë të mundësive për zgjerim dhe vendosje të projekteve të reja.
Seksioni “Iniciativa për të rinjtë në Ballkan”
Programi “Young Balkan Leaders Initiative” synon të zhvillojë kapacitetet e të rinjve në fushat e biznesit, teknologjisë, administratës publike dhe të drejtave civile. Programi përfshin trajnime, bursa studimi, rrjete profesionale dhe qendra lidershipi për të forcuar bashkëpunimin rajonal dhe për të parandaluar ndikimet e huaja keqdashëse.
Seksioni “Siguria kibernetike”
Raporti thekson rëndësinë e mbështetjes amerikane për sigurinë kibernetike dhe infrastrukturën ICT në rajon. Synohet të mbrohen vendet e Ballkanit nga sulmet kibernetike dhe disinformacioni, të forcohen kapacitetet e qeverive dhe të promovohet siguria digjitale si element kyç i stabilitetit dhe integrimit demokratik.
Seksioni “Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë”
Kongresi mbështet progresin në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke inkurajuar dialogun strategjik dhe investimet e përbashkëta. SHBA-ja nuk mbështet ndryshime kufijsh dhe synon të promovojë demokracinë pluraliste dhe stabilitetin rajonal.
Seksioni “Raportimi mbi ndikimet malinje të Rusisë dhe Kinës”
SHBA-ja do të monitorojë ndikimet politike dhe ekonomike të Rusisë dhe Kinës në rajon, duke identifikuar aktivitetet që minojnë institucionet demokratike dhe sigurinë rajonale. Raportet do të përfshijnë analiza mbi taktikën, efektivitetin dhe mjetet për të neutralizuar ndikimet malinje.
Ky raport i Kongresit Amerikan tregon një përpjekje të qartë dhe gjithëpërfshirëse për të mbështetur Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor në rrugën e demokratizimit, zhvillimit ekonomik dhe luftës kundër korrupsionit, duke synuar stabilitet afatgjatë dhe demokracinë më funksionale në rajon. Faktor.al
