Gripi po shfaqet agresiv tek fëmijët në këtë periudhë. Temperatura e lartë, rezistente dhe që zgjat në kohë, po karakterizon viruset në qarkullim. Rëndimi i gjendjes shëndetësore ka bërë që, sipas mjekëve, shumë fëmijë të kenë nevojë për trajtim në spital.
“Bën përshtypje tek rastet me influenza A një temperaturë e lartë prej ditësh, 39-40 gradë Celsius, që bëhet shumë shqetësuese për prindërit, natyrisht që vijnë në urgjencë dhe të shqetësuar për të ulur temperaturën, e cila mund të vazhdojë për ditë me radhë. Shpesh herë, në analizat e gjakut dhe ato biokimike që janë bërë dhe këtu në QSUT, ka rezultuar me prova të mëlçisë pak të rritura. Shpesh dhe me diarre dhe të vjella, mosushqyerje prej ditësh që mund të shqetësojë prindërit, deri në aplikimin e perfuzioneve; shpesh herë edhe konvulsione febrile, pra atë sëmundjen e tokës që e quajnë njerëzit shkaktuar nga temperatura, që në vetvete nuk është sëmundje, por pasojë e temperaturës”, pohojnë mjekët.
Pediatrit i bëjnë thirrje prindërve të shtojnë kujdesin, pasi nuk kanë munguar as komplikacionet shëndetësore.
Instituti i Shëndetit Publik ka konfirmuar praninë e gripit të tipit A, por jo nënvariantin K të Ah3n2, që ka shqetësuar shumë shtete në botë. Ndërkohë, sipas mjekëve, bashkë me gripin në qarkullim janë edhe viruse të tjera me shenja të ngjashme klinike, si COVID dhe virusi respirator syncyntial, që ka prekur më tepër bebet deri në nëntë muaj. Prandaj në këtë periudhë festash mjekët këshillojnë për të mos ekspozuar fëmijët në ambiente me shumë njerëz.
Në këtë periudhë të vitit, fluksi i pacientëve në spitale dhe qendra shëndetësore, sipas mjekëve, është shtuar. Megjithëse vala e të prekurve nga infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes po rritet, sipas Institutit të Shëndetit Publik ende nuk ka arritur kulmin.
