Ermal Sadiku, kandidat i Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) për deputet, ka reaguar me ironi pas publikimit të rezultateve paraprake të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura të dielën, duke zgjedhur rrjetet sociale si formë shprehjeje ndaj zhvillimeve politike.
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), pas numërimit të mbi 94 për qind të votave, rezulton se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka dalë forcë e parë me rreth 49.92 për qind të votave. Në vend të dytë renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 21.15 për qind, ndërsa LDK-ja pozicionohet në vendin e tretë me 13.81 për qind.
Në reagimin e tij, Sadiku ka publikuar në Facebook një video të shkurtër, e shoqëruar me një këngë të këngëtarit Meda. Në sfond dëgjohet fraza “Ma mirë mos t’isha gjallë të dielën mbrëma”, e cila është interpretuar nga ndjekësit si një reagim ironik dhe simbolik ndaj rezultatit të dobët të partisë së tij në këtë proces zgjedhor.
Postimi ka nxitur komente dhe reagime të shumta në rrjet, ku disa e kanë parë si një mënyrë të lehtë dhe humoristike për të reflektuar zhgënjimin pas zgjedhjeve, ndërsa të tjerë e kanë konsideruar si kritikë indirekte ndaj performancës së LDK-së.
Ndërkohë, me avancimin e numërimit të votave, rezultatet nuk kanë shënuar ndryshime të mëdha. Deri tani, kur janë numëruar mbi 96 për qind e votave, LDK vijon të mbetet në vendin e tretë me rreth 13.77 për qind, duke konfirmuar rënien e saj krahasuar me zgjedhjet e kaluara dhe duke hapur diskutime për reflektim dhe riorganizim brenda partisë.
