Gazetari Elton Tozaj i cili u dhunua barbarisht pak ditë më parë, ka folur ekskluzivisht për ‘Shqipëria Live’, me gazetaren Sidorela Gjoni.
Ai tha se ka lënë një takim me personat që thotë se e kanë dhunuar, për të sqaruar mes tyre situatën dhe reagimin e tij për lajmet që kishte publikuar.
Sipas tij pasi është takuar ata e kanë dhunuar barabarisht dhe thotë se e kanë lënë për të vdekur në mes të rrugës.
“Kam pasur kërcënime… Me mirëbesim lash takim me ta, pa e ditur çfarë më priste. Pasi i takova nuk mbaj mend asgjë sepse u dhunova në mënyrë çnjerëzore. Mbaj mend një fjali ‘kush je ti që do të ndryshosh botën’. Kur u zgjova e pashë veten në rrugë të gjakosur, u çova vrapova. Kam përshtypje që më kanë lënë për të vdekur, më kanë goditur vetëm në fytyrë sepse kam përshtypjen që kanë dashur të japin mesazh mos të dal më në ekran. Nuk kam bërë akoma denoncim, pres një kontakt nga Prokuroria. Kam frikë për jetën time dhe mamanë time”, tha ai.
