
Pajisja e sigurisë nuk u aktivizua, ndërsa shpëtimi zgjati rreth 40 minuta mes panikut të familjes
Një ngjarje tragjike ka tronditur Japoninë, ku një fëmijë pesëvjeçar humbi jetën pasi u bllokua në një shkallë lëvizëse në një resort skish në veri të vendit. Incidenti ndodhi në një qendër turistike në qytetin Otaru, pjesë e rajonit Hokkaido, i njohur si kryeqyteti japonez i sporteve dimërore.
Sipas autoriteteve, fëmija tentoi të hipte në travelatorin që lidh parkimin me pistat e skive, por rrëshqiti pranë daljes dhe krahu i djathtë iu bllokua në mekanizmin rrotullues të pajisjes. Shkalla lëvizëse vazhdoi të funksiononte për disa sekonda, derisa nëna e tij arriti të shtypte butonin e emergjencës.
Ekipet e zjarrfikësve dhe emergjencës mbërritën menjëherë në vendngjarje, por lirimi i fëmijës rezultoi jashtëzakonisht i vështirë. Për ta nxjerrë, u desh çmontimi i një pjese të madhe të shkallës lëvizëse, proces që zgjati rreth 40 minuta. Fëmija u dërgua me urgjencë në spital, por ndërroi jetë pak më vonë.
Autoritetet kanë nisur hetime për të zbardhur shkaqet e sakta të incidentit, veçanërisht pse mekanizmi automatik i sigurisë nuk u aktivizua. Sipas policisë, sistemi kishte funksionuar më herët gjatë ditës, por në këtë rast nuk reagoi.
Shkalla lëvizëse ishte instaluar rreth gjashtë vite më parë, pa parmakë anësorë dhe me një gjatësi rreth 30 metra. Vizitorë të shumtë kishin shprehur më parë shqetësime për sigurinë e saj. Një skiator i rregullt, i cituar nga media japoneze, tha se edhe për të rriturit pajisja dukej e pasigurt.
Përfaqësues të Asarigawa Onsen Ski Resort kanë kërkuar ndjesë publike për ngjarjen dhe kanë deklaruar se do të merren masa të menjëhershme për të shmangur përsëritjen e tragjedive të tilla.
Ngjarja ka rihapur debatin në Japoni mbi standardet e sigurisë në resortet turistike, veçanërisht në zonat e frekuentuara nga familjet me fëmijë, ndërsa opinioni publik kërkon përgjegjësi dhe masa më të rrepta parandaluese.
