
Një fjalë e përdorur në skenën e Globe Soccer Awards ndez debat global dhe reagime ironike në rrjetet sociale
Cristiano Ronaldo ka rikthyer vëmendjen e botës jo vetëm me golat, por edhe me një deklaratë që ka shkaktuar stuhi reagimesh në rrjetet sociale. Gjatë ceremonisë së Globe Soccer Awards 2025 në Dubai, ku u shpall për të tretin vit radhazi Lojtari i Vitit në Lindjen e Mesme, ylli portugez përdori fjalën “Inshallah” teksa foli për synimin e tij madhor, shifrën historike prej 1000 golash në karrierë.
Në fjalimin e tij, Ronaldo u shpreh se pasioni për futbollin mbetet i pandryshuar dhe se dëshira për të shënuar e për të fituar trofe është ende e fortë, pavarësisht moshës. Ai theksoi se objektivi i tij është të arrijë 1000 gola dhe shtoi se nëse nuk pëson dëmtime, beson se do ta realizojë këtë arritje, duke e mbyllur deklaratën me fjalën “Inshallah”.
Kjo shprehje, e zakonshme në botën islame dhe veçanërisht në vendet e Lindjes së Mesme, u bë menjëherë virale. Në rrjetet sociale nisën pyetje, ironi dhe komente të shumta, ku disa përdorues pyesnin nëse Ronaldo kishte përqafuar fenë islame, ndërsa të tjerë e trajtuan momentin me humor, duke e lidhur përdorimin e fjalës me jetën e tij në Arabinë Saudite.
Aktualisht pjesë e Al Nassr, Ronaldo ka shënuar mbi 40 gola në të gjitha kompeticionet gjatë vitit, duke lënë pas emra të njohur si Salem Al Dawsari, Riyad Mahrez dhe Karim Benzema në garën për çmimin prestigjioz. Përdorimi i fjalës Inshallah u interpretua nga shumë si një shenjë respekti për kulturën dhe ambientin ku jeton dhe luan prej dy vitesh.
Ndërsa debatet online vazhdojnë, Ronaldo nuk ka reaguar ndaj spekulimeve, duke lënë të kuptohet se për të rëndësi ka vetëm futbolli dhe objektivi i radhës. Synimi për të qenë lojtari i parë në histori që arrin 1000 gola mbetet në qendër të vëmendjes, ndërsa një fjalë e vetme mjaftoi për ta kthyer edhe këtë moment sportiv në një diskutim global.
