
Kievi i mohon pretendimet dhe i cilëson si provokim të rrezikshëm për bisedimet e paqes
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, deklaroi se Ukraina ka ndërmarrë një sulm të gjerë me dronë ndaj rezidencës së presidentit Vladimir Putin në zonën e Liqenit Valdai, në rajonin e Novgorodit, në veriperëndim të Rusisë. Sipas Lavrovit, sulmi ka ndodhur gjatë natës mes së dielës dhe së hënës dhe është neutralizuar plotësisht nga mbrojtja ajrore ruse.
Lavrov pretendoi se janë përdorur 91 dronë me rreze të gjatë veprimi, të cilët u shkatërruan përpara se të arrinin objektivin. Ai theksoi se nuk ka pasur të lënduar apo dëme materiale, por e cilësoi incidentin si një akt terrorist, duke paralajmëruar se Rusia do të reagojë. Sipas tij, objektivat për goditje hakmarrëse janë përcaktuar dhe koha e veprimit është vendosur nga Forcat e Armatosura ruse.
Deklarata e Lavrovit është e pazakontë, pasi raportimet për sulme me dronë zakonisht bëhen nga Ministria e Mbrojtjes. Vetë Ministria ruse njoftoi më herët se kishte rrëzuar 89 dronë ukrainas në mbarë vendin, prej të cilëve vetëm 18 mbi rajonin e Novgorodit, duke krijuar mospërputhje me shifrat e përmendura nga shefi i diplomacisë ruse.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i hodhi poshtë akuzat duke i quajtur të rreme dhe jashtëzakonisht të rrezikshme. Sipas tij, Moska po përpiqet të minojë përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës dhe të justifikojë sulme të mëtejshme ndaj Ukrainës.
Ngjarja e pretenduar vjen në një moment të ndjeshëm diplomatik, vetëm një ditë pasi Zelensky u takua me presidentin amerikan Donald Tramp në Florida, në kuadër të përpjekjeve për negociata paqeje. Shtëpia e Bardhë konfirmoi më pas se Tramp kishte zhvilluar një bisedë telefonike pozitive me Putinin për situatën në Ukrainë.
Vetë Tramp reagoi ndaj pretendimeve për sulmin me dronë, duke thënë se nuk është momenti i duhur për veprime të tilla, duke pasur parasysh procesin e negociatave. Ai deklaroi se ishte informuar për incidentin drejtpërdrejt nga Putini dhe se ishte i zemëruar për atë që e cilësoi si një veprim të papërshtatshëm në këtë fazë delikate.
Nëse konfirmohet, ky nuk do të ishte rasti i parë që dronë ukrainas arrijnë zona ku qëndron presidenti rus. Në maj të vitit 2023, dy dronë goditën çatinë e Pallatit të Senatit në Kremlin, një incident që autoritetet ruse e cilësuan atëherë si tentativë për atentat.
Pretendimet e fundit rrezikojnë të shtojnë më tej tensionet mes Moskës dhe Kievit, në një kohë kur përpjekjet diplomatike për ndaljen e luftës mbeten të brishta dhe nën vëzhgim të ngushtë ndërkombëtar.
