
38-vjeçari u qëllua në këmbë gjatë ndërhyrjes së karabinierëve në një zonë të izoluar në provincën e Chietit
Një ndërhyrje policore e nisur pas një telefonate për vjedhje me thyerje ka përfunduar me plagosjen aksidentale të vetë pronarit të banesës. Ngjarja u regjistrua në Filetto, në provincën e Chieti, në një shtëpi të izoluar jashtë zonës urbane.
Sipas informacioneve zyrtare, pas njoftimit në numrin e emergjencës 112, në vendngjarje mbërritën forcat e Carabinieri. Gjatë operacionit, një oficer hapi zjarr duke plagosur gabimisht në këmbë një 38-vjeçar, i cili rezultoi të ishte pronari i banesës dhe jo autori i ndonjë vjedhjeje.
I plagosuri u transportua menjëherë drejt spitalit në kryeqendrën e rajonit Abruzzo, ku sipas burimeve mjekësore ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe po merr trajtimin e nevojshëm.
Ndërkohë, Njësia Hetimore e Chietit ka nisur procedurat për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit. Janë duke u kryer ekspertiza teknike dhe mjeko-ligjore për të përcaktuar dinamikën e saktë të ngjarjes dhe përgjegjësitë përkatëse. Hetimi po zhvillohet nën drejtimin e prokurorisë lokale.
Ngjarja ka ngritur pikëpyetje mbi procedurat e ndërhyrjes në raste emergjente, veçanërisht në zona të izoluara, ndërsa autoritetet pritet të japin sqarime të mëtejshme pas përfundimit të hetimeve.
