Për herë të parë në Romë, autoritetet italiane kanë vendosur regjimin 41-bis, të njohur si “burgu i ashpër”, kryesisht për të dënuar për mafie e terrorizëm, ndaj një eksponenti të narkotrafikut shqiptar.
Bëhet fjalë për Elvis Demce, figurë e njohur e trafikut të drogës në kryeqytet dhe në zonën e Castelli Romani, i konsideruar nga hetuesit italianë si një element me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Vendimi për vendosjen e 41-bis është marrë pak ditë para Krishtlindjeve, pas hetimeve të zhvilluara nga Drejtoria Distriktuale Antimafia (DDA) e Prokurorisë së Romës dhe nga karabinierët e Njësisë Hetimore. Ky është rasti i parë i këtij lloji i aplikuar ndaj një eksponenti të grupeve të narkotrafikantëve shqiptarë që veprojnë në Romë.
Demce ndodhet prej kohësh në burg, ku po vuan një dënim përfundimtar prej 15 vitesh e 4 muajsh për trafik droge, si dhe një tjetër dënim, ende jo përfundimtar, prej 18 vitesh e gjysmë për tentativën e vrasjes së Alessio Marzani, i plagosur me armë zjarri në tetor të vitit 2020.
Sipas hetimeve të antimafias, pavarësisht se ndodhej në qeli, Demce vazhdonte të komunikonte me jashtë, duke urdhëruar rrëmbime dhe zhvatje. Në korrikun e kaluar, ai u godit nga një urdhër i ri arresti, pasi u zbulua përfshirja e tij në një rast zhvatjeje ndaj një tregtari makinash, nga i cili kërkoheshin informacione për rivalët, një grup kriminal i lidhur me Fabrizio Fabietti.
Dy emra, Fabietti dhe Demce, që kanë pasur në të kaluarën një lidhje të përbashkët me figurën e Fabrizio Piscitelli, i njohur si “Diabolik”, ish-kreu i grupimit ultras Irriducibili, i vrarë me një plumb në kokë më 7 gusht 2019 në parkun e Acquedotti-ve në Romë.
Një ditë pas ekzekutimit të urdhrit të ri në korrik, karabinierët gjetën një mjet shpërthyes pranë banesës ku jeton familja e Demce-s. Episodi u interpretua si sinjal i ripozicionimeve të reja në ekuilibrat e krimit të organizuar romak, për të cilat po hetojnë magjistratët e antimafias.
Çfarë është regjimi 41-bis?
Regjimi 41-bis është një masë e posaçme e parashikuar nga ligji italian i administrimit penitenciar. Ai zbatohet ndaj personave të konsideruar jashtëzakonisht të rrezikshëm, kryesisht të dënuar për mafie, terrorizëm dhe krim të organizuar, me qëllim ndërprerjen totale të kontakteve me organizatat kriminale jashtë burgut.
Ky regjim parashikon: izolim pothuajse total nga të burgosurit e tjerë, kufizim shumë të rreptë të vizitave familjare, ndalim ose kontroll maksimal të komunikimeve, kushte shumë të ashpra sigurie dhe mbikëqyrjeje.
41-bis nuk përbën një dënim penal shtesë, por një masë administrative, e vendosur nga Ministri i Drejtësisë, mbi bazën e vlerësimeve të autoriteteve antimafia.
Vendosja e regjimit 41-bis ndaj Elvis Demce-s shënon një precedent të rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar në Romë, ndaj narkotrafikut shqiptar dhe përfaqëson një sinjal të qartë të ashpërsimit të masave ndaj rrjeteve kriminale që, sipas hetuesve, vazhdojnë të veprojnë edhe nga brenda burgjeve. /Nga Alba Kepi
