
Specialisti i Hetimit dyshohet se nuk ka përmbushur detyrat funksionale në një procedim penal të vitit 2024, Gjykata vendos pezullimin nga shërbimi
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka pezulluar nga detyra një punonjës të Policisë së Shtetit në qytetin e Vlorës, pas dyshimeve për shpërdorim detyre. Vendimi është marrë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal me karakter ndalues, pezullim nga ushtrimi i një detyre apo shërbimi publik.
Sipas njoftimit zyrtar të AMP, efektivi Xhuljano Xhaferri, me detyrë Specialist Hetimi në Seksionin kundër Trafiqeve pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, dyshohet se nuk ka përmbushur detyrat funksionale gjatë kryerjes së veprimeve procedurale që lidhen me një çështje penale të vitit 2024.
Hetimet kanë ngritur dyshime se veprimet ose mosveprimet e punonjësit të policisë kanë cenuar rregullat ligjore që rregullojnë ushtrimin e funksionit të tij, duke sjellë si pasojë ndërhyrjen e strukturave të mbikëqyrjes dhe vendosjen e masës së sigurisë.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore thekson se mbetet e angazhuar në garantimin e zbatimit të ligjit dhe në forcimin e standardeve të integritetit brenda strukturave të rendit. AMP u bën thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo rast abuzimi apo shkeljeje ligjore nga punonjësit e policisë, përmes numrit të gjelbër 0800 9090 ose në adresën elektronike ankesa@amp.gov.al
