
U mbajt një minutë heshtje për 15 viktimat e masakrës, ndërsa Ura e famshme e Sydneyt u ndriçua me simbolin hebraik të menorahut
Qyteti i Sydneyt u ndal për një moment reflektimi dhe uniteti përpara festimeve të Vitit të Ri 2026, duke nderuar viktimat e sulmit tragjik në Bondi Beach. Një minutë heshtje u mbajt në orët e vona të mbrëmjes, në kujtim të 15 personave që humbën jetën gjatë sulmit të ndodhur në natën e parë të festës hebraike Hanukkah.
Në një gjest simbolik, Ura e Harbour Bridge u ndriçua me ngjyrë të bardhë dhe mbi shtyllat e saj u projektua menorahu, një simbol i rëndësishëm i komunitetit hebraik. Ky vendim u mor në minutat e fundit, pas një reagimi të fortë nga artistë dhe përfaqësues të komunitetit hebraik në Australi.
Fillimisht, autoritetet lokale kishin planifikuar të projektonin një pëllumb me fjalën paqe, por më shumë se 30 krijues hebraikë i kërkuan bashkisë që përkujtimi të përfshinte një simbol specifik hebraik. Në letrën e tyre të hapur drejtuar kryetares së bashkisë, ata argumentuan se përdorimi i simboleve të përgjithshme fshihte realitetin e antisemitizmit të brendshëm dhe mohonte faktin se komuniteti hebraik ishte shënjestër e drejtpërdrejtë e sulmit.
Pas këtij reagimi, kryetarja e bashkisë njoftoi se planet do të ndryshonin. Ajo konfirmoi se gjatë minutës së heshtjes në orën 23:00, menorahu do të projektohej mbi urë, ndërsa më pas do të shfaqeshin edhe mesazhet paqe dhe unitet.
Në deklaratën e saj, kryetarja theksoi se nuk ka fjalë që mund të lehtësojnë dhimbjen apo të shpjegojnë të keqen e përjetuar, duke shtuar se qyteti i Sydney-t duhet të mbetet një hapësirë ku njerëzit e çdo kulture, kombësie dhe besimi ndihen të sigurt dhe të respektuar.
Ngjarja u zhvillua në një atmosferë të qetë dhe reflektuese, duke shndërruar nisjen e Vitit të Ri në një moment solidariteti dhe kujtese për viktimat e një prej sulmeve më të rënda të muajve të fundit në Australi.
