Persona me aftësi të kufizuar kanë dalë në protestë këtë të martë në qytetin e Lezhës, pas mosmarrjes së shpërblimit të fundvitit të akorduar nga qeveria shqiptare.
Që në orët e para të mëngjesit, protestuesit janë grumbulluar para ambienteve të filialit të Postës Shqiptare në Lezhë, duke kërkuar marrjen e pagesës së premtuar, e cila sipas tyre ende nuk ka kaluar në llogaritë përkatëse.
Ata shprehen se ndodhen në vështirësi të theksuara ekonomike dhe se mungesa e këtij shpërblimi u pamundëson përballimin e shpenzimeve bazë, sidomos në prag të festës së ndërrimit të viteve. Protestuesit kërkojnë zgjidhje të menjëhershme, duke theksuar se pagesa është jetike për familjet e tyre.
“Na u premtua shpërblimi i fundvitit, por sot jemi këtu dhe nuk kemi marrë asgjë. Me këto para mbijetonim për festat,” u shpreh një prej protestuesve.
Nga ana tjetër, përfaqësues të filialit të Postës Shqiptare në Lezhë bëjnë me dije se vonesa nuk varet nga institucioni që ata përfaqësojnë. Sipas tyre, fondet përkatëse ende nuk janë lëvruar nga Thesari i Shtetit, çka ka sjellë edhe krijimin e kësaj situate dhe pakënaqësinë e qytetarëve
