
Ngjarja ndodhi gjatë festës së ndërrimit të viteve, mbi 100 persona ndodheshin në ambient, ndërsa autoritetet kanë shpallur gjendje emergjente
Një tragjedi e rëndë ka ndodhur gjatë natës së ndërrimit të viteve në Crans-Montana të Zvicrës, ku një zjarr i madh i shoqëruar me shpërthim ka përfshirë një bar gjatë një feste të Vitit të Ri. Ngjarja u regjistrua rreth orës 01:30 të mëngjesit, ndërsa autoritetet konfirmojnë se ka viktima dhe të plagosur, por pa dhënë ende një bilanc zyrtar.
Sipas Policisë së Kantonit Wallis, numri i personave që kanë humbur jetën mbetet i paqartë, ndërsa mediat lokale raportojnë se viktimat mund të jenë deri në 40. Një pjesë e të plagosurve ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore.
Në momentin e shpërthimit, në ambientet e lokalit ndodheshin më shumë se 100 persona. Zjarri dyshohet se ka nisur në katin nëntokësor të godinës. Sipas televizionit publik RTS, një nga pistat kryesore të hetimit lidhet me përdorimin e mjeteve piroteknike gjatë një koncerti që po zhvillohej në lokal. Burime të tjera flasin për një shpërthim me shkaqe ende të panjohura.
Në vendngjarje janë angazhuar dhjetëra ambulanca dhe helikopterë shpëtimi, ndërsa mbi zonë është vendosur ndalim fluturimi për të lehtësuar operacionet emergjente. Autoritetet kanë hapur gjithashtu një linjë telefonike informimi për familjarët e personave të përfshirë në ngjarje.
Spitalet në zonat përreth kanë bërë thirrje që qytetarët të shmangin aktivitetet e rrezikshme, me qëllim që stafi mjekësor të mos ngarkohet me raste të tjera urgjente dhe të përqendrohet te viktimat e tragjedisë.
Policia lokale ka njoftuar se do të mbajë një konferencë për shtyp gjatë paradites për të dhënë më shumë detaje mbi shkaqet dhe pasojat e ngjarjes.
Ndërkohë, nata e ndërrimit të viteve ka sjellë viktima edhe në vende të tjera të Europës. Në qytetin gjerman Bielefeld, dy të rinj 18-vjeçarë humbën jetën si pasojë e incidenteve me mjete piroteknike, ndërsa në Berlin policia arrestoi rreth 300 persona për përdorim të rrezikshëm të raketave dhe fishekzjarreve.
