
Shërbimi sekret amerikan konkludon se akuzat e Moskës janë të pabazuara, ndërsa Donald Tramp pranon se sulmi mund të mos ketë ndodhur
Shërbimi Qendror i Inteligjencës së Shteteve të Bashkuara ka hedhur poshtë pretendimet e Rusisë se Ukraina ka ndërmarrë një sulm me dronë ndaj rezidencës së presidentit Vladimir Putin. Sipas një raporti të inteligjencës amerikane, Kievi nuk ka qenë i përfshirë në asnjë sulm të tillë, duke rrëzuar kështu akuzat e bëra publikisht nga Moska.
Gjetjet e CIA-s i janë paraqitur presidentit amerikan Donald Tramp nga drejtori i agjencisë, John Ratcliffe, gjatë një informimi të zhvilluar më 31 dhjetor. Sipas burimeve, Ratcliffe i ka bërë të qartë Trump se agjencia nuk i konsideron të vërteta pretendimet e ngritura nga Putin lidhur me një sulm ndaj rezidencës së tij në veri të Rusisë.
Raporti vjen pasi presidenti rus kishte ngritur personalisht çështjen gjatë një bisede telefonike me Trump, duke pretenduar se Ukraina kishte tentuar të godiste shtëpinë e tij me dronë. Në atë moment, Tramp kishte reaguar duke thënë se nuk mund të imagjinonte një veprim të tillë dhe se një incident i tillë do të ndikonte drejtpërdrejt në qasjen e Uashingtonit ndaj presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.
Sipas raportimeve të mediave amerikane, përfshirë Wall Street Journal, inteligjenca amerikane ka konstatuar se Ukraina kishte synuar një objektiv ushtarak në të njëjtin rajon ku ndodhet edhe rezidenca e Putinit, por jo vetë rezidencën. Zyrtarët kanë theksuar se objektivi i synuar nuk ndodhej pranë banesës së presidentit rus.
Pas informimit nga CIA, Tramp shpërndau në rrjetet sociale një editorial që sugjeronte se pretendimi për sulmin ishte i ekzagjeruar ose i pavërtetë, duke lënë të kuptohet se Moska po e përdorte incidentin për qëllime politike dhe propagandistike.
Më herët, Kremlini kishte deklaruar se Tramp ishte shprehur i tronditur dhe i indinjuar nga sulmi i dyshuar, madje kishte theksuar se ishte i kënaqur që administrata aktuale amerikane nuk i kishte furnizuar Ukrainës raketa Tomahawk. Megjithatë, më pas vetë Tramp pranoi publikisht se ishte e mundur që sulmi të mos kishte ndodhur ashtu siç ishte paraqitur nga pala ruse.
Raporti i CIA-s përforcon dyshimet ndërkombëtare mbi versionin e Moskës dhe shton presionin diplomatik në një moment delikat të luftës në Ukrainë, ku çdo pretendim për sulme ndaj liderëve shtetërorë mund të sjellë pasoja të rënda politike dhe ushtarake.
