
Policia e Kurbinit sekuestron armë zjarri, fishekë dhe sende të tjera gjatë operacionit të koduar Fokusi
Në qytetin e Laçit është finalizuar një tjetër operacion policor kundër armëmbajtjes pa leje, i cili ka çuar në arrestimin e një 29-vjeçari dhe sekuestrimin e një arme zjarri automatike me municion luftarak.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative dhe në kuadër të kontrolleve të shtuara gjatë festave të fundvitit, kanë ndërhyrë në banesën e shtetasit Serxhio Kola, 29 vjeç, banues në lagjen nr. 4 të Laçit.
Gjatë kontrollit, policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri automatike me krehër dhe fishekë, e mbajtur pa leje, si dhe disa sende të tjera, përfshirë një palë doreza. Pas verifikimeve, 29-vjeçari u arrestua në flagrancë.
Operacioni policor i koduar Fokusi kishte si qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë periudhës festive. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.
I arrestuari akuzohet për veprën penale mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit, ndërsa arma dhe municioni u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
