
Një kamarier që festonte me fishekzjarr mbi shpatullat e një kolegu dyshohet se shkaktoi zjarrin shkatërrues në barin Constellation, ku deri në 40 persona humbën jetën dhe rreth 100 të tjerë u plagosën
Një tragjedi e rëndë ka tronditur Zvicrën në orët e para të Vitit të Ri, pasi një zjarr i shoqëruar me shpërthim përfshiu një bar luksoz në resortin e njohur alpin Crans Montana, duke shkaktuar dhjetëra viktima. Sipas dëshmive të para, flakët nisën gjatë festimeve kur një kamerier, i ngritur mbi shpatullat e një kolegu dhe duke tundur një fishekzjarr, e afroi atë shumë pranë tavanit të lokalit.
Ngjarja ndodhi rreth orës 01:30 të mëngjesit në barin Constellation, i cili ndodhet në qendër të qytetit turistik. Dëshmitarët tregojnë se zjarri u përhap brenda pak sekondash, duke shkaktuar panik të madh mes të pranishmëve, ndërsa shumë persona u përpoqën të dilnin me nxitim nga ambienti i mbushur plot.
Mediat vendase dhe burime mjekësore flasin për deri në 40 persona të vdekur dhe rreth 100 të plagosur, shumica me djegie të rënda. Autoritetet zvicerane kanë konfirmuar se mes viktimave ka edhe turistë të huaj. Spitalet në rajonin e Valais janë vënë nën presion të jashtëzakonshëm, ndërsa disa pacientë janë transferuar drejt qendrave të tjera mjekësore.
Në vendngjarje u angazhuan dhjetëra ambulanca dhe helikopterë shpëtimi, ndërsa zona u izolua plotësisht dhe u shpall ndalim fluturimi mbi resort. Policia ka ngritur një linjë informacioni për familjarët që kërkojnë të dhëna për të afërmit e tyre.
Autoritetet theksojnë se hetimet janë ende në fazat e para dhe se shkaku përfundimtar i zjarrit nuk është konfirmuar zyrtarisht, megjithëse përdorimi i fishekzjarrëve brenda lokalit shihet si pista kryesore. Prokuroria ka sqaruar se bëhet fjalë për një incident aksidental dhe jo për një akt të qëllimshëm.
Crans Montana, një nga resortet më të frekuentuara të skive në Evropë, pritet të shpallë ditë zie, ndërsa komuniteti vendas dhe turistët janë ende të tronditur nga një prej netëve më të errëta që ka njohur ky qytet alpin.
