
Enzo Maresca përballet me drejtuesit në një takim vendimtar, ndarja mund të vijë para fundjavës
Chelsea pritet të zhvillojë sot bisedime vendimtare për të ardhmen e trajnerit Enzo Maresca, mes një klime të tensionuar që ka arritur pikën e vlimit mes teknikut italian dhe drejtuesve të klubit.
Sipas mediave britanike, pakënaqësitë reciproke dhe rezultatet zhgënjyese kanë bërë që largimi i Marescës të jetë një skenar real dhe i afërt, madje edhe para ndeshjes së fundjavës ndaj Manchester Cityt. Chelsea ka fituar vetëm një nga shtatë ndeshjet e fundit në Premier League, çka ka rritur presionin mbi stafin teknik.
Burime pranë klubit bëjnë me dije se tensionet janë shtuar edhe për shkak të deklaratave të paqarta të Marescës në konferencat për shtyp. Pas fitores ndaj Evertonit, trajneri u shpreh se kishte kaluar 48 orët më të vështira që nga ardhja në Londër, por refuzoi të shpjegonte arsyet, si publikisht ashtu edhe brenda klubit.
Këto qëndrime kanë krijuar shqetësim te drejtuesit e Chelsea-t, të cilët sot pritet të marrin një vendim përfundimtar mbi vazhdimin ose jo të bashkëpunimit me trajnerin. Edhe pse vetë Maresca ka deklaruar se e sheh veten në stolin e Chelsea-t edhe sezonin e ardhshëm, realiteti mund të ndryshojë shumë shpejt.
Takimi i sotëm konsiderohet vendimtar dhe mund të përcaktojë të ardhmen e menjëhershme të klubit blu, në një sezon që po shkon gjithnjë e më larg pritshmërive.
