
Rrëfimi tronditës i një ushtari ukrainas që mbijetoi për muaj të tërë në tokën e askujt, nën zjarrin e pandërprerë rus
Për më shumë se katër muaj, Dmytro, një këmbësor i ushtrisë ukrainase, mbeti i ngujuar në vijën e parë të frontit, në një zonë ku jeta dhe vdekja ndaheshin nga disa metra baltë dhe llogore. Në këtë territor të shkatërruar nga bombardimet, ai humbi shokun e tij të vetëm, njeriun me të cilin ndante çdo minutë mbijetese.
“Nuk mund të qëndrosh kurrë vetëm në pozicion. Duhet të jesh të paktën dy. Njëri fle, tjetri ruan. Edhe kështu është e vështirë të mos humbasësh mendjen”, rrëfen Dmytro, duke përshkruar realitetin brutal të jetës në llogore, nën granatime të vazhdueshme ditë e natë.
Në këtë mjedis ekstrem, marrëdhëniet mes ushtarëve marrin një kuptim tjetër. Lidhjet që krijohen nuk janë thjesht miqësi, por varësi e ndërsjellë për mbijetesë. Yuri, shoku i tij i armëve, ishte gjithçka që kishte në atë copë toke të rrethuar nga rreziku.
“Ishim shumë të ndryshëm, por aty ishim vetëm ne të dy. Jeta ime varej nga ai, ashtu si jeta e tij varej nga unë. Edhe kur përpiqesh të mos lidheshe emocionalisht, është e pamundur”, tregon ai.
Tragjedia ndodhi papritur. Yuri u vra gjatë një përplasjeje, vetëm rreth 200 metra larg pozicionit ku ndodhej Dmytro. Humbja e tij la pas jo vetëm dhimbje, por edhe një boshllëk të thellë psikologjik në një mjedis ku mbijetesa varet nga bashkëpunimi.
Historia e Dmytros është një nga shumë dëshmi që nxjerrin në pah koston njerëzore të luftës në Ukrainë, një realitet ku përtej strategjive dhe hartave ushtarake, çdo ditë vendoset fati i njerëzve të zakonshëm.
