
Këngëtarja zbulon këshillën jetike që mori pas divorcit dhe mesazhin që u përcolli fansave gjatë rezidencës në Las Vegas
Jennifer Lopez ka prekur publikun gjatë netëve të para të rezidencës së saj Up All Night në Las Vegas, duke ndarë një rrëfim personal për një nga periudhat më të vështira të jetës së saj. Gjatë koncertit në The Colosseum në Caesars Palace, artistja tregoi se kishte ardhur një moment kur ishte gati të hiqte dorë nga gjithçka.
Duke iu drejtuar fansave, Lopez u kthye pas në kohë, te periudha pas divorcit me ish-bashkëshortin Marc Anthony në vitin 2014. Ajo foli hapur për kaosin emocional që po përjetonte atëherë, ndërsa përpiqej të rritej si nënë e vetme dy binjakët e saj, Max dhe Emme.
Në një moment intim të rrëfimit, këngëtarja kujtoi një këshillë që mori nga mentorja e saj, Louise Hay, e cila e ndihmoi të mos dorëzohej. Sipas Lopez, Hay e pyeti se çfarë bën një balerin kur gabon hapat gjatë një vallëzimi. Përgjigjja ishte e thjeshtë: vazhdon derisa t’i bëjë hapat siç duhet. Pikërisht ky mesazh, vazhdo të kërcesh pa u ndalur, u bë pikë kthese për të.
Jennifer Lopez pranoi se në atë periudhë jeta e saj ishte një rrëmujë e vërtetë dhe se ndjente lodhje të madhe emocionale. Megjithatë, ajo theksoi se këshilla për të mos u ndalur, por për të vazhduar përpara, e ndihmoi të rindërtonte veten si artiste dhe si njeri.
Në fund të fjalimit, Lopez ua përcolli të njëjtin mesazh edhe fansave të saj, duke i inkurajuar të mos dorëzohen pavarësisht vështirësive që sjell jeta. Sipas saj, sekreti është të vazhdosh të ecësh përpara, sërish dhe sërish, pa humbur pasionin dhe forcën e brendshme.
