
Flakët përfshijnë barin Le Constellation në Crans-Montana, 47 të vdekur dhe mbi 100 të plagosur, dyshohet për fishekzjarre dhe qirinj dekorativë
Festimet e Vitit të Ri në një prej resorteve më luksoze të Alpeve zvicerane u kthyen në një nga tragjeditë më të rënda të viteve të fundit, pasi një zjarr shkatërrues shpërtheu në barin Le Constellation në Crans-Montana, duke shkaktuar vdekjen e rreth 40 personave dhe plagosjen e mbi 100 të tjerëve.
Ngjarja ndodhi rreth orës 01:30 të mëngjesit të 1 janarit 2026, në kulmin e festimeve, kur lokali ishte i mbushur me pushues vendas dhe turistë të huaj. Sipas autoriteteve lokale, në momentin e zjarrit në ambient ndodheshin mbi 100 persona, ndërsa kapaciteti maksimal i barit arrin deri në 300 vetë.
Shërbimet e emergjencës, zjarrfikësit dhe ambulancat u mobilizuan menjëherë, ndërsa në operacion u përfshinë edhe helikopterë për transportimin e të plagosurve në spitale të tjera, pasi njësitë e kujdesit intensiv në rajon u mbushën shpejt me viktima të djegura rëndë.
Shkaku i saktë i zjarrit mbetet ende nën hetim, por dëshmitë e para flasin për përdorimin e mjeteve piroteknike ose qirinjve dekorativë gjatë festës. Sipas disa dëshmitarëve, një punonjës i lokalit mbante një shishe me qiri të ndezur pranë tavanit prej druri, çka bëri që flakët të përhapeshin me shpejtësi dhe të shkaktonin shembjen e tavanit.
Policia ka rrethuar zonën dhe ka shpallur një ndalim fluturimi mbi resort, ndërsa hetimet janë në fazat e para. Autoritetet konfirmojnë se bëhet fjalë për një aksident dhe jo për një sulm të qëllimshëm.
Presidenti i Zvicrës, Guy Parmelin, reagoi duke shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave dhe duke theksuar se ajo që duhej të ishte një festë gëzimi u shndërrua në zi kombëtare. Në shenjë respekti, ai shtyu fjalimin tradicional të Vitit të Ri.
Crans-Montana është një nga destinacionet më të njohura turistike në Zvicër dhe ngjarja ka tronditur jo vetëm komunitetin lokal, por edhe opinionin publik ndërkombëtar, ndërsa pritet që bilanci përfundimtar i viktimave të konfirmohet në orët dhe ditët në vijim.
