
Hetuesit dyshojnë për pagesë dhe urdhërues të tjerë, ndërsa motivi i ekzekutimit të 67-vjeçarit Hysni Ymeri mbetet ende i paqartë
Detaje të reja janë zbardhur nga hetimet për vrasjen me tritol të ndodhur në Shkodër, ku viktimë mbeti 67-vjeçari Hysni Ymeri. Sipas burimeve zyrtare, autori i dyshuar i vendosjes së lëndës plasëse në panelin elektrik të pallatit ku banonte viktima është 27-vjeçari Gerti Bushati.
Nga të dhënat e deritanishme hetimore, Bushati dyshohet se është paguar nga dy persona të tjerë për të kryer aktin kriminal, ndërsa grupi hetimor nuk përjashton mundësinë që pas ngjarjes të fshihen edhe persona të tjerë që kanë urdhëruar ekzekutimin. Kamerat e sigurisë kanë luajtur rol kyç në zbardhjen e skemës, duke fiksuar momentin kur 27-vjeçari vendos lëndën plasëse brenda panelit elektrik.
Autoritetet kanë sekuestruar edhe rrobat që Bushati dyshohet se ka veshur ditën e ngjarjes, të cilat po analizohen si prova materiale. Pas shpërthimit, policia shoqëroi disa persona të identifikuar përmes kamerave të sigurisë përgjatë zonës, mes tyre edhe katër të rinjtë që u arrestuan më pas: Gerti Bushati, Ergys Ibrahimi, Edison Hasaj dhe Gjergji Zefi.
Sipas burimeve hetimore, këta persona u lanë qëllimisht në një ambient të mbikëqyrur, ku komunikuan mes tyre pa e ditur se ishin nën vëzhgim. Më pas, gjatë marrjes në pyetje, deklarimet e tyre kanë rezultuar kontradiktore, duke forcuar dyshimet e policisë për përfshirje të koordinuar në ngjarje.
Ndërkohë, hetuesit vijojnë punën për të zbardhur plotësisht motivin e vrasjes me telekomandim të Hysni Ymerit, si dhe për të identifikuar çdo person tjetër të përfshirë në organizimin dhe porositjen e atentatit.
