
Reshjet e shiut dhe ngricat në segmentin Milot–Kalimash sollën humbje kontrolli dhe përplasje zinxhir, mes mjeteve edhe mikrobus dhe autoambulancë
Moti i keq, i shoqëruar me reshje shiu dhe prani të ngricave, ka shkaktuar probleme serioze në qarkullimin rrugor në Rrugën e Kombit. Përgjatë segmentit Milot–Kalimash janë regjistruar tre aksidente të njëpasnjëshme, ku janë përfshirë rreth 15 automjete.
Aksidentet kanë ndodhur në disa pika të këtij aksi, ku drejtuesit e mjeteve kanë humbur kontrollin për shkak të akullit në rrugë, duke u përplasur njëkohësisht me automjete të tjera. Mes mjeteve të përfshira raportohet se ka qenë edhe një mikrobus me pasagjerë, si dhe një autoambulancë e koncesionarit të rrugës.
Si pasojë e përplasjeve, gjashtë persona kanë mbetur të lënduar dhe janë transportuar në spitalin e Rrëshenit për ndihmë mjekësore. Burime zyrtare bëjnë me dije se të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, Njësia e Autostradave po monitoron situatën në terren dhe u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të pajisen me goma dimërore dhe të tregojnë kujdes të shtuar. Firmat mirëmbajtëse janë angazhuar për hedhjen e kripës në rrugë, me qëllim përmirësimin e kushteve të qarkullimit dhe shmangien e aksidenteve të tjera.
Megjithatë, sipas burimeve, megjithëse ulja e temperaturave ishte paralajmëruar, ndërhyrja për hedhjen e kripës nuk është kryer në kohë, ndërsa shumë drejtues mjetesh kanë qenë të papërgatitur për kushtet e vështira atmosferike, duke rritur ndjeshëm riskun në këtë aks të rëndësishëm rrugor.
