
Procesi i verifikimit dhe numërimit të votave ka kaluar mbi 78 % të vendvotimeve, ndërsa puna vijon në Qendrat Komunale të Numërimit
Procesi i numërimit dhe verifikimit të votave në Kosovë ka rifilluar pasditen e djeshme në 11 komuna, ku po kontrollohen rezultatet e subjekteve politike nga formularët e vendvotimeve dhe po numërohen votat e kandidatëve për deputetë.
Qendrat Komunale të Numërimit ku ka rifilluar procesi janë në Prishtinë, Pejë, Prizren, Podujevë, Mitrovicë e Jugut, Gjakovë, Malishevë, Lipjan, Gjilan, Ferizaj dhe Suharekë.
Sipas të dhënave zyrtare, deri më tani janë procesuar mbi 2,009 nga 2,557 vendvotime në rang vendi, ose më shumë se 78.57% e totalit. Kjo shifër tregon një ecuri të konsiderueshme të procesit, pavarësisht vonesave të regjistruara në disa zona.
Ndërkohë, 27 komuna kanë përmbyllur plotësisht aktivitetet e numërimit deri të mërkurën, më 31 dhjetor 2025, ora 12:00. Këto përfshijnë Mamushë, Shtërpcë, Junik, Hani i Elezit, Kllokot, Partesh, Mitrovicë e Veriut, Novobërdë, Zveçan, Viti, Zubin Potok, Ranillug, Dragash, Istog, Obiliq, Gllogoc, Deçan, Shtime, Klinë, Kamenicë, Fushë Kosovë, Leposaviq, Graçanicë, Vushtrri, Rahovec, Skënderaj dhe Kaçanik.
Autoritetet zgjedhore kanë bërë të ditur se procesi po vijon sipas procedurave ligjore dhe se çdo fazë po monitorohet për të garantuar transparencë dhe saktësi në rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve.
