
I moshuari u përplas nga një automjet në Kent dhe u transportua mbi makinë për rreth 1.5 kilometra, ndërsa autorët u larguan nga vendngjarja
Dy shtetas shqiptarë janë vënë nën akuzë nga autoritetet britanike pas një ngjarjeje tronditëse rrugore në Kent, ku një pensionist rreth të 80-ave humbi jetën pasi u përplas nga një automjet dhe u transportua mbi të për një distancë rreth 1.5 kilometra.
Sipas policisë, aksidenti ndodhi mesditën e së hënës në rrugën A289 Gads Hill, në Gillingham. I moshuari u godit nga një automjet tip Mercedes gri dhe më pas trupi i tij përfundoi mbi makinë, e cila vazhdoi lëvizjen deri sa ai u gjet i shtrirë në Grange Road, ku u shpall i vdekur në vendngjarje.
Albert Matraxhiu, 28 vjeç, banues në Edgware të Londrës së Veriut, është akuzuar për shkaktim vdekjeje nga drejtimi i rrezikshëm i mjetit. Ndërsa Erald Paci, 29 vjeç, banues në Chatham, Kent, akuzohet për pengim të drejtësisë. Të dy do të paraqiten në gjykatë gjatë ditës së sotme.
Policia bëri të ditur se automjeti u gjet i braktisur jo shumë larg vendit të aksidentit, ndërsa dy personat që ndodheshin në të u larguan në këmbë. Pamjet e kamerave të sigurisë u publikuan fillimisht për të ndihmuar identifikimin e të dyshuarve.
Shërbimi i urgjencës mjekësore ndërhyri menjëherë, por fatkeqësisht i moshuari nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra. Banorë të zonës kanë treguar se trupi i viktimës u zbulua nga një postier, i cili kishte vënë re më herët një automjet me diçka të dyshimtë mbi tavan.
Policia ka rinovuar apelin për dëshmitarë, duke u kërkuar qytetarëve që mund të kenë parë aksidentin, automjetin ose momentet para dhe pas përplasjes, apo që disponojnë pamje nga kamera sigurie apo kamera në automjete, të kontaktojnë autoritetet për të ndihmuar hetimin.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të fortë në komunitetin lokal dhe ka rihapur debatin mbi sigurinë rrugore dhe përgjegjësinë penale në rastet e largimit nga vendngjarja pas aksidenteve fatale./The Sun
