
Një kombinim i rrallë i kushteve orbitale do ta bëjë Hënën e plotë të 3 janarit një nga më të shndritshmet e vitit 2026
Vëzhguesit e qiellit do të kenë mundësinë të shijojnë një spektakël të veçantë astronomik më 3 janar 2026, kur Hëna e Plotë e janarit, e njohur si Superhëna e Ujkut, do të shfaqet dukshëm më e ndritshme dhe më e madhe se zakonisht.
Ky fenomen ndodh sepse Superhëna përkon me momentin kur Hëna ndodhet në perigje, pika më e afërt e orbitës së saj me Tokën. Më 3 janar, Hëna do të kalojë rreth 362 mijë kilometra larg planetit tonë, duke u dukur rreth 14 për qind më e madhe dhe deri në 30 për qind më e ndritshme krahasuar me momentet kur ndodhet në distancën më të largët.
Ajo që e bën këtë Superhënë edhe më të veçantë është fakti se përkon pothuajse me perihelin, periudha e vitit kur Toka ndodhet më afër Diellit. Në këtë kohë, planeti ynë merr pak më shumë dritë diellore, e cila reflektohet edhe nga Hëna, duke rritur ndriçimin e saj të dukshëm. Toka është rreth 3.4 për qind më afër Diellit në perihel sesa në pikën më të largët të orbitës së saj.
Kombinimi i një Hëne të plotë pranë Tokës dhe i afërsisë së Tokës me Diellin pritet ta bëjë Superhënën e Ujkut një nga Hënat më të shndritshme të vitit 2026.
Muaji janar ofron gjithashtu kushte më të favorshme për vëzhgim në shumë zona të hemisferës veriore. Ajri i ftohtë zakonisht përmban më pak lagështi, çka mund të sjellë qiell më të kthjellët dhe pamje më të qarta, në varësi të kushteve atmosferike.
Për të shijuar këtë ngjarje qiellore nuk nevojiten pajisje speciale, pasi Superhëna e Ujkut do të jetë e dukshme me sy të lirë, duke e bërë atë një spektakël të aksesueshëm për këdo, kudo në botë.
