
Autoritetet kanadeze ndaluan fluturimin drejt Delhit pasi piloti dështoi në dy teste alkooli, kompania ajrore e pezullon nga detyra
Një incident i rëndë ka vënë në alarm autoritetet e aviacionit në Kanada, pasi një pilot i Air India u paraqit në shërbim nën ndikimin e alkoolit në aeroportin ndërkombëtar të Vankuverit. Ngjarja ndodhi më 23 dhjetor, pak para nisjes së fluturimit AI186 drejt Delhit, duke shkaktuar vonesa të menjëhershme dhe ndërhyrje nga policia lokale.
Sipas informacioneve zyrtare, piloti iu nënshtrua dy testeve të njëpasnjëshme me alkooltest, të cilat i dështoi, çka solli largimin e tij të menjëhershëm nga avioni. Fluturimi u realizua më pas me një ekuipazh zëvendësues, ndërsa pasagjerët u përballën me vonesa të paplanifikuara.
Rregullatori kanadez i transportit, Transport Canada, e ka cilësuar rastin si tepër serioz dhe i ka kërkuar kompanisë ajrore indiane të nisë një hetim të brendshëm të detajuar. Autoritetet kanë paralajmëruar se mund të ndërmerren masa ndëshkuese, në varësi të përfundimeve të hetimit.
Nga ana e saj, Air India ka konfirmuar incidentin dhe ka bërë të ditur se piloti është pezulluar nga detyra gjatë periudhës së hetimit. Kompania thekson se zbaton një politikë tolerance zero ndaj shkeljeve të rregullave të sigurisë dhe se çdo shkelje e konfirmuar do të pasohet nga masa disiplinore të rrepta.
Transport Canada i ka kërkuar zyrtarisht Air India që deri në fund të janarit të paraqesë gjetjet e hetimit dhe masat konkrete që do të merren për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen. Ngjarja ka rikthyer në vëmendje rëndësinë e kontrolleve strikte të sigurisë në aviacionin civil, veçanërisht në fluturimet ndërkontinentale me distanca të gjata.
