
Gruaja u gjet e pajetë në banesë me shenja dhune, ndërsa autori dyshohet se u vetëvra me armë zjarri në garazh
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Orikumin këtë të premte, ku një çift bashkëshortësh u gjetën të vdekur në rrethana tragjike. Viktimat janë Sose Xhebroj, rreth 40 vjeçe, dhe bashkëshorti i saj Llogora Xhebroj, 50 vjeç.
Sipas të dhënave paraprake nga hetimet, dyshohet se burri ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij dhe më pas e ka mbytur brenda banesës. Pas kësaj, ai dyshohet se ka zbritur në ambientet e garazhit, ku ka vrarë veten me armë zjarri.
Policia bën me dije se njoftimi ka mbërritur rreth orës 13:30 nga urgjenca mjekësore, pasi gruaja ishte gjetur pa shenja jete dhe me shenja dhune në trup. Gjatë kontrolleve të mëtejshme në zonë, shërbimet e Policisë kanë gjetur në garazh trupin e pajetë të bashkëshortit, i cili dyshohet se është vetëvrarë.
Në vendngjarje është sekuestruar një armë zjarri pistoletë tip Glock dhe një gëzhojë kalibër 9 mm, të cilat janë marrë në cilësinë e provës materiale. Policia dhe grupi hetimor vijojnë veprimet procedurale për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë familjare.
