
Autoritetet konfirmojnë mbi 40 viktima, dhjetëra të plagosur dhe një proces të vështirë identifikimi për shkak të djegieve të rënda
Një tragjedi e rëndë ka tronditur Zvicrën pas një zjarri shkatërrues që përfshiu një bar turistik në Crans-Montana gjatë natës së Vitit të Ri, ku autoritetet konfirmojnë të paktën 40 viktima dhe mbi 100 persona të plagosur. Mes të zhdukurve raportohet edhe Charlotte Niddam, një adoleshente rreth 15 vjeçe, e shkolluar më herët në Britaninë e Madhe.
Sipas autoriteteve zvicerane, zjarri shpërtheu teksa rreth 200 persona ndodheshin në ambientet e barit duke festuar ndërrimin e viteve. Hetimet paraprake tregojnë se shkëndijat e fishekzjarrëve të mbajtur brenda lokalit mund të kenë shkaktuar ndezjen e tavanit, duke bërë që flakët të përhapen me shpejtësi.
Charlotte Niddam nuk ka dhënë asnjë shenjë që prej momentit të shpërthimit të zjarrit. Ajo kishte ndjekur më parë mësimet në një shkollë private në Hertfordshire, në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa familja e saj ishte zhvendosur më pas në Zvicër dhe Francë. Miq dhe ish-shokë shkolle kanë shpërndarë mesazhe prekëse në rrjetet sociale, duke kërkuar informacion për fatin e saj.
Autoritetet shëndetësore kanë bërë me dije se identifikimi i viktimave po kryhet përmes analizave dentare dhe ADN-së, por procesi pritet të zgjasë disa ditë për shkak të dëmtimeve të rënda trupore. Spitalet në kantonin Valais kanë aktivizuar planin e emergjencës, ndërsa disa të plagosur janë transferuar për trajtim në Francë, Itali, Gjermani dhe Belgjikë.
Policia dhe prokuroria zvicerane vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet e sakta të zjarrit dhe përgjegjësitë e mundshme, ndërsa familjet e viktimave dhe të zhdukurve po përballen me një pritje të dhimbshme për lajme zyrtare. Tronditja nga kjo ngjarje ka përfshirë jo vetëm Zvicrën, por edhe disa vende europiane, për shkak të numrit të lartë të të rinjve të huaj të përfshirë në tragjedi.
