
Festa e Vitit të Ri në Këln u kthye në anarki, ndërsa një influencere u sulmua brutalisht gjatë transmetimit live
Festa e Vitit të Ri në qytetin gjerman të Këlnit është shndërruar në kaos dhe dhunë, pasi një influencere e njohur u sulmua dy herë radhazi dhe u godit me fishekzjarr në mes të turmës festive.
Ngjarja e rëndë ndodhi pak minuta para ndërrimit të viteve, teksa influencerja gjermane, 29-vjeçarja e njohur në rrjetet sociale me emrin Kunshikitty, po transmetonte drejtpërdrejt festimet në rrugë. Pamjet tronditëse tregojnë momentin kur një person del nga turma dhe i hedh një objekt në kokë nga afër, duke e lënë atë të tronditur dhe në dhimbje.
Teksa ajo përpiqej të kuptonte çfarë kishte ndodhur dhe fliste për sulmin e parë, një objekt tjetër e godet sërish, duke shkaktuar panik dhe indinjatë. Influencerja dëgjohet duke thënë se është goditur në kokë dhe se sulmi nuk do të kishte ndodhur nëse do të ishte një person fizikisht më i madh.
Sipas mediave gjermane, objektet e hedhura dyshohet se kanë qenë fishekzjarrë, ndërsa policia e Këlnit ka konfirmuar se ka nisur hetimet pas publikimit të pamjeve në rrjetet sociale. Ende nuk është e qartë nëse sulmet janë kryer nga i njëjti person.
Ngjarja ka rikthyer shqetësimet për sigurinë gjatë festimeve të Vitit të Ri në disa qytete evropiane. Vetëm në Gjermani, gjatë natës së Vitit të Ri janë raportuar qindra arrestime, dhjetëra policë të plagosur dhe disa viktima fatale nga përdorimi i rrezikshëm i fishekzjarrëve.
Influencerja ka bërë të ditur se do ta denoncojë rastin në polici, ndërsa reagimet e publikut kanë qenë të shumta, duke dënuar dhunën dhe sjelljen agresive që e ktheu një festë gëzimi në një skenë frike.
