
Qeveria e akuzon Uashingtonin për sulm, shpallet gjendje e jashtëzakonshme dhe thirret mobilizim kombëtar
Në orët e para të mëngjesit, kryeqyteti i Venezuelës u trondit nga disa shpërthime të fuqishme që u dëgjuan në zona të ndryshme të qytetit. Autoritetet e Karakasit reaguan menjëherë duke e cilësuar ngjarjen si një agresion ushtarak jashtëzakonisht të rëndë ndaj territorit dhe popullsisë së vendit, duke drejtuar gishtin nga Shtetet e Bashkuara.
Sipas njoftimit zyrtar të qeverisë, shpërthimet kanë prekur zona civile dhe ushtarake në Karakas si edhe disa shtete përreth kryeqytetit. Pas zhvillimeve, presidenti Nicolás Maduro shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe u bëri thirrje të gjitha forcave politike dhe shoqërore të aktivizojnë planet e mobilizimit kombëtar.
Gazetarë vendas dhe ndërkombëtarë raportuan se rreth orës 02:00 të mëngjesit u dëgjuan zhurma të forta shpërthimesh, të shoqëruara me tinguj që ngjanin me fluturime avionësh. Në rrjetet sociale qarkulluan pamje me zjarre të mëdha dhe re tymi, kryesisht në jug dhe lindje të Karakasit, pa qenë ende e mundur të konfirmohet saktësisht vendndodhja e çdo incidenti.
Situata vjen në një moment tensioni të lartë politik dhe ushtarak, pasi presidenti i SHBA-së Donald Trump ka paralajmëruar më herët mundësinë e goditjeve tokësore ndaj Venezuelës dhe ka deklaruar se ditët e qeverisë së Karakasit janë të numëruara. Së fundmi, Uashingtoni ka njoftuar edhe për shkatërrimin e një zone portuale në Venezuelë, e dyshuar për lidhje me trafikun e drogës.
Nga ana tjetër, presidenti Maduro ka theksuar se sistemi i mbrojtjes kombëtare garanton integritetin territorial dhe sigurinë e vendit, duke hedhur poshtë akuzat amerikane për përfshirje në narkotrafik. Ai ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se synojnë rrëzimin e tij për interesa ekonomike, veçanërisht për shkak të rezervave të mëdha të naftës që zotëron Venezuela.
Ngjarjet e fundit kanë rritur frikën për një përshkallëzim të rrezikshëm në rajon, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po ndjek me shqetësim zhvillimet në Karakas dhe marrëdhëniet gjithnjë e më të tensionuara mes Venezuelës dhe SHBA-së.
