
Shtëpia e Bardhë ndalon blerjen e aseteve të Emcore nga HieFo, për shkak të lidhjeve me Kinën
Administrata e presidentit Donald Tramp ka bllokuar një marrëveshje në sektorin e teknologjisë së avancuar, duke ndaluar kompaninë amerikane të fotonikës HieFo Corp të blejë asete të prodhuesit Emcore, për shkak të shqetësimeve serioze që lidhen me sigurinë kombëtare dhe ndikimin e mundshëm të Kinës.
Sipas një urdhri zyrtar të Shtëpisë së Bardhë, marrëveshja që përfshinte blerjen e aseteve me vlerë rreth 3 milionë dollarë nga kompania me bazë në New Jersey, Emcore, u ndalua pasi u konstatua se HieFo zotërohet pjesërisht nga një shtetas i Republikës Popullore të Kinës.
Presidenti Tramp argumentoi se kjo strukturë pronësie përbën një rrezik të drejtpërdrejtë për interesat strategjike të Shteteve të Bashkuara, duke theksuar se transaksioni mund të komprometojë teknologji të ndjeshme që lidhen me sektorin e mbrojtjes dhe hapësirës ajrore.
Në urdhrin presidencial thuhet se kompania HieFo detyrohet të heqë dorë nga të gjitha interesat dhe të drejtat mbi asetet e Emcore brenda 180 ditëve, pavarësisht vendndodhjes së tyre. Megjithatë, dokumenti nuk jep detaje shtesë mbi individët konkretë apo natyrën e saktë të rrezikut të identifikuar.
Vlerësimi i kërcënimit është bërë nga Komiteti për Investime të Huaja në Shtetet e Bashkuara, organi përgjegjës për shqyrtimin e transaksioneve që mund të cenojnë sigurinë kombëtare. Autoritetet nuk kanë bërë publike aspektet teknike që e bënë marrëveshjen të papranueshme.
Emcore ka konfirmuar se në vitin 2024, HieFo kishte blerë operacionet e prodhimit të wafer-ëve me fosfor indiumi dhe biznesin e çipave për rreth 2.92 milionë dollarë. Ndërkohë, kompania HieFo Corp, e bashkëthemeluar nga Genzao Zhang dhe Harry Moore, nuk ka reaguar ende publikisht ndaj vendimit të administratës Trump.
Vendimi shihet si pjesë e një strategjie më të gjerë të Uashingtonit për të kufizuar ndikimin kinez në teknologjitë kritike dhe për të forcuar kontrollin mbi sektorët strategjikë të industrisë amerikane.
