
Aktorja viziton zonën kufitare me Gazën për të parë nga afër ndihmën humanitare dhe gjendjen e civilëve
Aktorja amerikane Angelina Jolie ka udhëtuar në kufirin egjiptian të Rafahut, ku është takuar me palestinezë të plagosur dhe punonjës të ndihmës humanitare që operojnë në mbështetje të Gazës. Vizita u zhvillua në kuadër të inspektimit të ndihmave që hyjnë drejt Rripit të Gazës dhe të kushteve të civilëve të zhvendosur nga konflikti.
Jolie, e njohur për angazhimin e saj të gjatë humanitar, mbërriti në pikën kufitare në veri të Sinait, ku u takua me përfaqësues të Gjysmëhënës së Kuqe dhe shoferë kamionësh që transportojnë ndihma humanitare. Sipas mediave lokale, ajo pa nga afër gjendjen e palestinezëve të plagosur që janë transferuar për trajtim mjekësor në Egjipt, si edhe procesin e shpërndarjes së ndihmave.
Aktorja, e cila ka qenë më herët e dërguar speciale dhe ambasadore vullnetare e agjencisë së OKB-së për refugjatët, u shoqërua nga një delegacion amerikan dhe u prit nga autoritetet vendase. Gjatë vizitës, ajo bisedoi me vullnetarë dhe familje të zhvendosura që kanë gjetur strehim të përkohshëm në zona publike pranë kufirit.
Vizita e Jolie vjen në një moment delikat, pasi Izraeli ka njoftuar së fundmi pezullimin e veprimtarisë së dhjetëra organizatave humanitare në Gaza, duke e bërë edhe më të vështirë hyrjen e ndihmave jetike, veçanërisht atyre mjekësore.
Me praninë e saj në Rafah, Angelina Jolie ka synuar të tërheqë vëmendjen ndërkombëtare mbi situatën humanitare në Gaza dhe vështirësitë me të cilat përballen civilët dhe organizatat e ndihmës në terren.
