
I shpallur në kërkim për 719 bimë narkotike, Gjykata kishte caktuar masën arrest në burg
Një 35-vjeçar është arrestuar nga Policia në Malësinë e Madhe, i dyshuar si bashkëpunëtor në kultivimin e 719 bimëve narkotike kanabis. I ndaluari ishte shpallur më herët në kërkim dhe ndaj tij ishte vendosur masa e sigurisë arrest në burg.
Sipas njoftimit zyrtar, në pranga është vënë shtetasi A. H., banues në fshatin Aliaj. Ai u kap si rezultat i kontrolleve të vazhdueshme për lokalizimin e personave në kërkim, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative.
Operacioni u zhvillua nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme Shqiponja. 35-vjeçari dyshohet se ka bashkëpunuar në kultivimin e 719 bimëve narkotike në fshatin Jeran, të cilat u gjetën dhe u asgjësuan nga shërbimet e Policisë më 6 shtator 2025.
Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm kishte vendosur ndaj tij masën e sigurisë arrest në burg për veprën penale kultivimi i bimëve narkotike.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme ligjore.
