
Detaje të reja nga krimi familjar në Vlorë, rrëfimi i djemve zbardh momentet e fundit para tragjedisë
Detaje tronditëse janë zbardhur nga ngjarja e rëndë që ndodhi në Orikum, ku një burrë mbyti bashkëshorten dhe më pas i dha fund jetës. Dëshmitë e dy djemve të çiftit Sose dhe Llogora Xhebroj kanë hedhur dritë mbi momentet e fundit para tragjedisë që ka tronditur opinionin publik.
Sipas hetimeve, gruaja 40-vjeçare kishte rreth dy muaj që ishte larguar nga banesa dhe qëndronte te prindërit e saj, për shkak të problemeve të vazhdueshme dhe tensioneve në martesë. Edhe pse marrëdhënia ishte e përkeqësuar, procedurat e divorcit nuk kishin nisur.
Ditën e ngjarjes, Sose Xhebroj ishte kthyer në banesë për të marrë disa rroba, e shoqëruar nga djali 15-vjeçar. Djali i madh i familjes ndodhej në punë në atë moment. Pak më vonë, në banesë mbërriti edhe bashkëshorti, Llogora Xhebroj, i cili siguronte të ardhurat e familjes përmes një lokali të vogël.
Sipas dëshmisë së djalit të mitur, babai i kishte thënë të shkonte te vendi i punës së vëllait, duke i treguar se do të dilte për një xhiro me nënën. I mituri u largua, pa e ditur se ato do të ishin çastet e fundit që do ta shihte të gjallë nënën e tij.
Kur dy djemtë tentuan ta telefononin nënën, ajo nuk u përgjigj. Të shqetësuar, ata u kthyen në banesë, ku gjetën babanë të plagosur rëndë në qafë. Ata u përpoqën t’i jepnin ndihmë dhe njoftuan urgjencën, por kur mjekët mbërritën, nëna e tyre kishte ndërruar jetë.
Policia konstatoi se gruaja ishte dhunuar dhe mbytur, ndërsa pas krimit, Llogora Xhebroj kishte shkuar në garazhin e banesës, ku i dha fund jetës me armë zjarri. Ngjarja u denoncua nga vetë fëmijët, të cilët janë tashmë nën kujdesin e të afërmve.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se çifti kishte pasur probleme të vazhdueshme dhe se burri ushtronte dhunë ndaj bashkëshortes, gjë që e kishte detyruar atë të largohej nga shtëpia. Megjithatë, gruaja nuk kishte bërë kallëzim në polici, duke zgjedhur të qëndronte pranë familjes së saj.
Ngjarja ka rikthyer në vëmendje dramën e dhunës në familje dhe pasojat e rënda që ajo lë pas, veçanërisht mbi fëmijët që mbeten viktimat më të heshtura të tragjedive të tilla.
