
Reforma e nisur në vitin 2015 vijon zbatimin gradual, duke prekur moshën e daljes në pension dhe vjetërsinë në punë për të dyja gjinitë
Me nisjen e vitit 2026 hyjnë në fuqi ndryshime të reja në skemën e pensioneve, si pjesë e reformës së sigurimeve shoqërore të miratuar 11 vite më parë. Ndryshimet lidhen drejtpërdrejt me moshën e daljes në pension dhe vitet e vjetërsisë në punë, elementë që ndikojnë edhe në masën përfundimtare të pensionit.
Gjatë këtij viti, gratë duhet të kenë mbushur moshën 62 vjeç për të përfituar pension pleqërie. Sipas ligjit në fuqi, mosha e daljes në pension për gratë rritet me dy muaj çdo vit, me synimin që të arrijë 63 vjeç në vitin 2032. Më pas, rritja e moshës do të përfshijë edhe burrat, deri në unifikimin e moshës së pensionit në 67 vjeç për të dyja gjinitë në vitin 2056.
Ndërkohë, burrat ndikohen menjëherë nga rritja e viteve të vjetërsisë në punë. Nga 1 janari 2026, për të përmbushur kushtet e plota të pensionit, kërkohen 39 vite vjetërsi në punë, kundrejt 35 viteve që ishin të nevojshme para hyrjes në fuqi të reformës. E njëjta rritje graduale zbatohet edhe për gratë, paralelisht me rritjen e moshës.
Sipas legjislacionit aktual, vjetërsia në punë është një nga faktorët kryesorë në përllogaritjen e pensionit të pleqërisë. Formula përfshin pensionin social si bazë, të shumëzuar me vitet e sigurimit dhe të pjesëtuar me vitet e kërkuara të vjetërsisë.
Për vitin 2026, mosha e daljes në pension është 65 vjeç për burrat dhe 62 vjeç për gratë, ndërsa vjetërsia e kërkuar në punë arrin në 39 vite. Këto ndryshime synojnë qëndrueshmërinë afatgjatë të skemës së pensioneve, por njëkohësisht prekin drejtpërdrejt qytetarët që janë pranë moshës së daljes në pension.
