
Gjykata e Lartë urdhëron transferimin e plotë të kompetencave për të garantuar vazhdimësinë e pushtetit shtetëror
Gjykata e Lartë e Venezuelës ka urdhëruar që zëvendëspresidentja Delcy Rodríguez të marrë përkohësisht drejtimin e vendit, pas arrestimit të presidentit Nicolás Maduro nga Shtetet e Bashkuara.
Vendimi u bë publik në orët e vona të së shtunës, në prag të së dielës, me argumentin se Maduro ndodhet në një paaftësi thelbësore dhe të përkohshme për të ushtruar funksionet e tij si kreu i shtetit. Sipas vendimit gjyqësor, transferimi i pushtetit është i domosdoshëm për të shmangur vakumin institucional dhe për të garantuar funksionimin normal të administratës shtetërore.
Urdhri u lexua gjatë një seance të transmetuar drejtpërdrejt nga televizioni shtetëror VTV, ku gjyqtarja Tania D’Amelio sqaroi se Delcy Rodríguez do të ushtrojë të gjitha kompetencat, detyrat dhe pushtetet që i takojnë presidentit të Republikës Bolivariane të Venezuelës, deri në një vendim të ri institucional.
Gjykata theksoi se masa është marrë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Venezuelës, e cila parashikon se në rast mungese të përkohshme apo përfundimtare të presidentit, zëvendëspresidenti merr automatikisht detyrën e kreut të shtetit.
Emërimi i Rodríguez si presidente në detyrë vjen në një moment jashtëzakonisht të tensionuar për Venezuelën, ndërsa vendi përballet me pasiguri politike, reagime të forta brenda dhe jashtë kufijve dhe një situatë që pritet të ketë pasoja të gjera në skenën rajonale dhe ndërkombëtare.
