
Moska kërkon lirimin e ish-presidentit dhe flet për mbrojtjen e sovranitetit venezuelian mes frikës për përshkallëzim global
Tensionet ndërkombëtare janë rritur ndjeshëm pas operacionit ushtarak amerikan në Caracas dhe arrestimit të Nicolás Maduro, i cili është dërguar në Nju Jork për t’u përballur me akuza penale për narco-terrorizëm. Reagimi më i ashpër ka ardhur nga Rusia, e cila ka deklaruar hapur se do të mbrojë Venezuelën përballë asaj që e quan agresion amerikan.
Ministria e Jashtme ruse, në një deklaratë zyrtare, ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të Maduros dhe ka theksuar se Moska do të vazhdojë të mbështesë kursin politik të udhëheqjes bolivariane. Sipas saj, Rusia do të mbrojë interesat kombëtare dhe sovranitetin e Venezuelës, duke e cilësuar ndërhyrjen amerikane si shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare.
Paralajmërimi vjen pasi presidenti rus Vladimir Putin ka reaguar drejtpërdrejt ndaj deklaratave të Donald Tramp, i cili konfirmoi se Maduro dhe bashkëshortja e tij Cilia Flores janë kapur dhe janë nxjerrë jashtë Venezuelës pas një operacioni ushtarak të zhvilluar gjatë natës.
Sipas autoriteteve amerikane, sulmet ajrore u përqendruan në objektiva ushtarake rreth kryeqytetit Caracas, përpara se forcat speciale të ndërhynin për arrestimin e kreut të regjimit. Moska, nga ana tjetër, ka akuzuar Uashingtonin se po e çon rajonin drejt destabilizimit dhe ka ngritur shqetësime për pasoja globale, përfshirë frikën e një përplasjeje më të gjerë mes fuqive të mëdha.
Ngjarjet në Venezuelë po ndiqen me shqetësim nga komuniteti ndërkombëtar, ndërsa retorika e ashpër mes SHBA-së dhe Rusisë ka shtuar frikën për një përshkallëzim të ri gjeopolitik, në një moment kur bota është tashmë e tensionuar nga konflikte të tjera madhore.
