
Tubimi i Lëvizjes Shqipëria Bëhet nis në orën 12:00, apel për përdorimin e rrugëve alternative
Policia e Tiranës ka ndërmarrë masa të posaçme për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në kuadër të protestës së paralajmëruar nga ‘Lëvizja Shqipëria Bëhet”, e cila do të zhvillohet ditën e sotme në orën 12:00.
Sipas njoftimit zyrtar, duke nisur nga ora 11:00 dhe deri në përfundim të tubimit, do të ketë kufizime të pjesshme të qarkullimit të automjeteve në disa akse kryesore të kryeqytetit. Konkretisht, do të bllokohet pjesërisht Bulevardi Dëshmorët e Kombit, në segmentin nga Ura e Dajtit deri te kryqëzimi me rrugën Ismail Qemali.
Autoritetet bëjnë me dije se, në varësi të ecurisë së protestës, kufizime të tjera të qarkullimit mund të vendosen edhe në rrugë të tjera përreth zonës së tubimit.
Policia e Tiranës u ka bërë apel qytetarëve që të shmangin lëvizjen me automjete në akset që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative, me qëllim shmangien e pengesave në trafik dhe garantimin e lëvizjes së lirë dhe të sigurt të pjesëmarrësve në protestë.
