
Kufizimi me 25 % i mbërritjeve shkakton kaos për pasagjerët dhe vonesa deri në dy orë
Aeroporti Ndërkombëtar i Athinës Eleftherios Venizelos po përballet me vonesa të konsiderueshme dhe fluks të shtuar pasagjerësh, si pasojë e një ngadalësimi të qëllimshëm të punës nga kontrollorët e trafikut ajror. Situata ka nisur të enjten dhe po vijon edhe sot, ndërsa nuk ka ende një afat të qartë për normalizimin e plotë të operacioneve.
Kontrollorët ajrorë kanë vendosur kufizime në numrin e avionëve që lejohen të ulen në një interval të caktuar kohor, duke përmendur arsye operacionale dhe sigurie, si kapaciteti i aeroportit. Ky vendim ka sjellë një ulje prej rreth 25% të kapacitetit të mbërritjeve, çka përkthehet në më pak fluturime të shërbyera për orë dhe vonesa të ndjeshme në oraret e fluturimit.
Sipas mediave shtetërore greke, vonesat fillimisht ishin 30 deri në 40 minuta, por me kalimin e orëve ato arritën deri në dy orë, duke krijuar konfuzion dhe pritje të gjata për pasagjerët, veçanërisht në zonën e mbërritjeve. Edhe zona e nisjeve ka pësuar ndikim, megjithëse pamja e përgjithshme nuk ndryshon shumë nga ditët e zakonshme.
Në sistemet e Eurocontrol, ky kufizim është regjistruar zyrtarisht si një reduktim prej 25 % i kapacitetit të disponueshëm për mbërritje, me pasoja direkte në zinxhirin e fluturimeve në të gjithë Evropën.
Aeroporti i Athinës ka njoftuar pasagjerët të kontaktojnë linjat ajrore dhe të ndjekin informacionet zyrtare për çdo përditësim, ndërsa linja ajrore Aegean Airlines ka paralajmëruar për përshkallëzim të vonesave gjatë ditës për shkak të kufizimeve të vendosura nga kontrolli ajror.
Sipas burimeve mediatike, ky ngadalësim konsiderohet një formë proteste e heshtur, e lidhur me ndryshime ligjore që prekin statusin e kontrollorëve, transferimet e personelit dhe riorganizimin e zonave të përgjegjësisë. Autoritetet greke kanë deklaruar se po punojnë për përmirësimin e kushteve në transportin ajror, përfshirë rekrutime të reja dhe investime të mëdha në modernizimin e sistemeve të navigimit ajror.
Ndërkohë, pasagjerët këshillohen të planifikojnë udhëtimet me kujdes dhe të presin vonesa të mundshme, derisa situata të rikthehet në normalitet.
