
Sulmi amerikan ndaj Venezuelës ringjall një doktrinë historike që përcaktoi Amerikën Latine si zonë ndikimi të SHBA
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Tramp, ka justifikuar ndërhyrjen ushtarake në Venezuelë dhe kapjen e ish-presidentit Nicolás Maduro duke iu referuar Doktrinës “Monroe”, një parim i shpallur për herë të parë në vitin 1823, që synonte të vendoste Amerikën Latine nën sferën e ndikimit të Uashingtonit.
Gjatë një deklarate publike, Tramp e cilësoi operacionin ndaj Venezuelës si një përditësim të Doktrinës “Monroe”, duke theksuar se SHBA do të drejtojë vendin deri në realizimin e asaj që ai e quajti një tranzicion të sigurt, të drejtë dhe të kontrolluar. Ai shtoi se dominimi amerikan në Hemisferën Perëndimore nuk do të vihet më në diskutim.
Doktrina “Monroe” u shpall nga presidenti i pestë amerikan, James Monroe, më 2 dhjetor 1823, gjatë fjalimit vjetor në Kongres. Ajo paralajmëronte fuqitë evropiane që të mos ndërhynin në punët e Amerikave, duke e konsideruar çdo ndërhyrje të tillë si kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj Shteteve të Bashkuara. Në këmbim, SHBA zotoheshin të mos ndërhynin në çështjet e brendshme të Evropës dhe të respektonin kolonitë ekzistuese.
Thelbi i doktrinës ishte ndarja e botës në sfera ndikimi, ku Amerika Latine dhe Veriore konsideroheshin jashtë çdo përpjekjeje të re kolonizuese evropiane. Me kalimin e viteve, ky parim u shndërrua nga një deklaratë mbrojtëse në një mjet justifikimi për ndërhyrje të drejtpërdrejta amerikane.
Në vitin 1904, presidenti Theodore Roosevelt e zgjeroi doktrinën me të ashtuquajturin Korolari Roosevelt, duke i dhënë SHBA-së të drejtën për të ndërhyrë ushtarakisht në vendet e Amerikës Latine për të parandaluar ndërhyrjen evropiane, veçanërisht në rastet e krizave financiare ose paqëndrueshmërisë politike. Ky interpretim u përdor për herë të parë pas krizës venezueliane të viteve 1902–1903, kur vendi refuzoi të shlyente borxhet e jashtme.
Gjatë shekullit XX, Doktrina Monroe dhe variantet e saj u përdorën për të justifikuar ndërhyrje në Republikën Domenikane, Haiti, Nikaragua dhe vende të tjera. Në vitet 1980, administrata e Ronald Reagan-it ndoqi një linjë të ashpër në Amerikën Qendrore, duke mbështetur grupe dhe qeveri të djathta, ndërsa Kuba mbeti për dekada nën presion të vazhdueshëm ekonomik dhe politik.
Referimi i Tramp ndaj kësaj doktrine në kontekstin e Venezuelës ka shkaktuar reagime të forta ndërkombëtare. Rusia, Kina dhe vende të tjera e kanë cilësuar ndërhyrjen si shkelje të sovranitetit dhe të së drejtës ndërkombëtare, ndërsa kritikët paralajmërojnë se rikthimi i një logjike të shekullit XIX mund të thellojë tensionet dhe destabilizimin në rajon.
Në këtë sfond, Venezuela është kthyer sërish në qendër të një përplasjeje globale, ku historia, gjeopolitika dhe interesat strategjike po ndërthuren nën hijen e një doktrine që, megjithëse e vjetër më shumë se 200 vjet, vazhdon të ndikojë realitetin politik të ditëve tona.
