
Qytetarë të shumtë i bashkohen thirrjes së Adriatik Lapajt, policia bllokon disa akse kryesore për mbarëvajtjen e tubimit
Protesta e thirrur nga kryetari i lëvizjes Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj, ka nisur paraditen e sotme para godinës së Kryeministrisë në Tiranë. Qytetarë të shumtë janë mbledhur në shesh, duke shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj korrupsionit dhe mënyrës së qeverisjes, me thirrje kundër abuzimeve dhe varfërimit të shqiptarëve.
Tubimi po zhvillohet nën masa të shtuara sigurie, ndërsa Policia e Tiranës ka bërë të ditur se ka hartuar një plan të posaçëm për garantimin e rendit publik dhe mbarëvajtjen e protestës. Sipas njoftimit zyrtar, nga ora 11:00 deri në përfundim të tubimit janë vendosur bllokime të pjesshme të qarkullimit në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, konkretisht në segmentin nga Ura e Dajtit deri te kryqëzimi me rrugën Ismail Qemali.
Autoritetet sqarojnë se, në varësi të ecurisë së protestës, kufizime të tjera të qarkullimit mund të aplikohen edhe në akse të ndryshme rrugore përreth zonës së Kryeministrisë. Policia u ka bërë apel qytetarëve që të shmangin lëvizjen me automjete në rrugët e bllokuara dhe të përdorin itinerare alternative, për të evituar vonesat dhe për të lehtësuar zhvillimin normal të tubimit.
Protesta pritet të vijojë edhe në orët në vijim, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar se kërkesat e tyre lidhen me ndryshime të thella politike dhe institucionale, në emër të interesit qytetar.
