
Franca përgatitet të ndalojë rrjetet sociale për fëmijët nën 15 vjeç dhe të shtrijë kufizimin e telefonave edhe në gjimnaze
Në prag të rikthimit të nxënësve në shkolla pas pushimeve dimërore, ministri francez i Arsimit Kombëtar, Édouard Geffray, ka shpalosur vizionin e tij për vitin 2026, duke vendosur në qendër një betejë të hapur kundër varësisë nga telefonat dhe rrjetet sociale në mjediset arsimore.
Sipas ministrit, ndalimi i përdorimit të telefonave në shkollat e mesme të ulëta do të zbatohet me rigorozitet, ndërsa qeveria synon që kjo masë të zgjerohet edhe në gjimnaze. Paralelisht, Franca po përgatitet të miratojë një ligj që ndalon aksesin në rrjetet sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç, një nismë që pritet të hyjë në Parlament që në muajin janar.
Geffray thekson se ekziston një konsensus i gjerë politik dhe shkencor mbi dëmet që rrjetet sociale u shkaktojnë të miturve. Ai nënvizon se përdorimi i tepruar i ekraneve lidhet drejtpërdrejt me shtimin e çrregullimeve ankthore dhe depresive, me rënien e përqendrimit dhe dobësimin e aftësive njohëse.
Një tjetër shqetësim serioz, sipas ministrit, është ndikimi social. Në ambientet shkollore vërehet gjithnjë e më shpesh se nxënësit kalojnë pushimet dhe ndërrimet e orëve të zhytur në telefonat e tyre, duke humbur kontaktin njerëzor me bashkëmoshatarët dhe mësuesit. Sipas tij, socializimi i fëmijëve nuk mund t’i lihet teknologjisë.
Ministri e lidh këtë çështje edhe me edukimin qytetar. Arsimi, sipas tij, ka detyrimin jo vetëm të zhvillojë aftësitë akademike të nxënësve, por edhe t’i formojë ata si qytetarë të lirë dhe të ndërgjegjshëm, të aftë të dallojnë informacionin e saktë nga manipulimi. Bombardimi i vazhdueshëm me përmbajtje digjitale, sipas Geffray, e dëmton këtë mision.
Sa i përket afateve, qeveria franceze synon që ligji për ndalimin e rrjeteve sociale për të miturit të zbatohet sa më shpejt, megjithëse nuk përjashtohet një periudhë kalimtare për përshtatje. Ministri konfirmon gjithashtu se po punohet ngushtë me Parlamentin për të shmangur përplasje ligjore dhe për ta bërë ligjin të përputhshëm me të drejtën europiane.
Me këtë qasje, Franca synon t’i rikthejë shkollës rolin e saj qendror në edukim dhe zhvillim, duke vendosur qartë një kufi mes kohës së mësimit dhe botës digjitale.
