
Goditjet ajrore në kuadër të operacionit Absolute Resolve shkatërrojnë objekte kyçe ushtarake në Caracas, bilanci njerëzor mbetet i paqartë
Pamjet satelitore të publikuara së fundmi tregojnë qartë përmasat e dëmeve të shkaktuara në Venezuelë nga sulmet ajrore amerikane të ndërmarra natën mes 2 dhe 3 janarit, operacion që çoi edhe në kapjen e presidentit Nicolás Maduro. I cilësuar nga presidenti amerikan Donald Tramp si një fushatë ushtarake e jashtëzakonshme, operacioni ka lënë gjurmë të rënda mbi infrastrukturën ushtarake të kryeqytetit Caracas.
Shpërthimet e para u dëgjuan rreth orës 02:00 të mëngjesit dhe vazhduan deri pas orës 03:00. Video të shumta nga vendi i ngjarjes dhe imazhe satelitore konfirmojnë intensitetin e sulmeve, të cilat synuan drejtpërdrejt baza dhe objekte strategjike të ushtrisë venezueliane.
Një nga objektivat më të goditura ka qenë kompleksi ushtarak i Fuerte Tiuna, një nga më të mëdhenjtë dhe më të rëndësishmit në vend. Brenda këtij kompleksi ndodhen Ministria e Mbrojtjes, komanda e përgjithshme e ushtrisë, një pjesë e akademisë ushtarake dhe rezidenca zyrtare e zv/presidentit të vendit. Pamjet para dhe pas sulmeve tregojnë se disa hangarë dhe godina janë shkatërruar plotësisht ose janë djegur, ndërsa zona të tëra janë kthyer në rrënoja.
Fuerte Tiuna nuk është vetëm bazë ushtarake, por edhe zonë banimi për mijëra familje të personelit ushtarak. Dëmtimi i kësaj zone ngre shqetësime serioze për pasojat sociale dhe humanitare të ndërhyrjes.
Sipas burimeve amerikane, për realizimin e operacionit janë angazhuar mbi 150 avionë luftarakë, të cilët krijuan kushtet për hyrjen e helikopterëve dhe kryerjen e operacionit të kapjes së Nicolás Maduros dhe bashkëshortes së tij, Cilia Flores.
Ndërkohë, bilanci i viktimave mbetet i paqartë. Donald Tramp ka deklaruar se nuk ka pasur humbje në radhët e ushtrisë amerikane, por ka pranuar se ka viktima nga pala tjetër, përfshirë edhe trupa kubane që, sipas tij, mbronin presidentin venezuelian. Autoritetet e Karakasit nuk kanë dhënë ende një shifër zyrtare për numrin e të vdekurve apo për dëmet totale materiale.
Në mbrëmjen e së shtunës, Gjykata e Lartë e Venezuelës urdhëroi që zv/presidentja Delcy Rodriguez të marrë përkohësisht drejtimin e vendit, me qëllim garantimin e vazhdimësisë institucionale dhe administrative, ndërsa vendi mbetet në një situatë të tensionuar politike dhe ushtarake.
