
Kryeministrja e cilëson operacionin amerikan si vetëmbrojtje kundër narkotrafikut, ndërsa opozita flet për shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe kërkon sqarime urgjente në Parlament
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka reaguar pas operacionit amerikan në Venezuelë që çoi në arrestimin e Nicolás Maduro, duke e cilësuar ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara si një akt legjitim vetëmbrojtjeje. Sipas qeverisë italiane, bëhet fjalë për një veprim me natyrë mbrojtëse kundër strukturave shtetërore që, sipas Romës dhe Uashingtonit, ushqejnë dhe mbështesin narkotrafikun ndërkombëtar.
Meloni është informuar për operacionin në orët e para të mëngjesit, ndërsa ndodhej në Madrid. Gjatë kthimit në Romë, ajo ka koordinuar reagimin zyrtar të qeverisë italiane, duke riafirmuar se Italia historikisht nuk e konsideron ndërhyrjen ushtarake si zgjidhje për rrëzimin e regjimeve autoritare, por duke theksuar se në këtë rast specifik ndërhyrja konsiderohet e justifikuar, pasi lidhet me sigurinë dhe luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar.
Një nga shqetësimet kryesore të qeverisë italiane mbetet fati i komunitetit italian në Venezuelë, që numëron mbi njëqind mijë persona. Në veçanti, vëmendja është përqendruar te Alberto Trentini, bashkëpunëtor humanitar italian, i arrestuar dhe i mbajtur në burg prej më shumë se një viti pa proces gjyqësor nga autoritetet venezueliane. Burime diplomatike bëjnë të ditur se Meloni ka ngritur çështjen e Trentinit në kontaktet e fundit me presidentin amerikan Donald Tramp, ndërsa ministri i Jashtëm Antonio Tajani po ndjek nga afër situatën përmes njësisë së krizës.
Sipas informacioneve zyrtare, Trentini ndodhet ende në burgun Rodeo dhe nuk ka qenë e mundur të kontaktohet në orët e para pas ndërhyrjes amerikane. Qeveria italiane shpreh shqetësim për tensionet dhe protestat e shpërthyera në disa burgje venezueliane pas operacionit, por mbetet shpresa se mbështetja amerikane mund të ndihmojë në lirimin e tij, ashtu si edhe të dhjetëra të burgosurve politikë të vendeve të tjera evropiane.
Ndërkohë, skena politike në Itali është thellësisht e ndarë. Forcat e qendrës së djathtë mbështesin në masë të madhe qëndrimin e qeverisë dhe ndërhyrjen amerikane. Në të kundërt, opozita e majtë e ka dënuar ashpër operacionin Absolute Resolve, duke e cilësuar atë si agresion dhe shkelje të hapur të së drejtës ndërkombëtare. Partia Demokratike dhe Lëvizja Pesë Yjet kërkojnë që qeveria të raportojë urgjentisht në Parlament mbi qëndrimin italian dhe pasojat e ndërhyrjes.
Kriza venezueliane mbetet në zhvillim, ndërsa Italia po përpiqet të balancojë mbështetjen për aleatin amerikan me shqetësimin për sigurinë e qytetarëve të saj dhe respektimin e parimeve të së drejtës ndërkombëtare.
