
Tensione mes protestuesve dhe efektivëve gjatë tubimit të Shqipëria Bëhet, situata mbetet e paqartë
Protesta e thirrur nga lëvizja Shqipëria Bëhet para Kryeministrisë është përfshirë nga tensione, teksa në vendngjarje janë regjistruar përplasje fizike mes protestuesve dhe forcave të Policisë së Shtetit.
Sipas raportimeve nga terreni, efektivë të shumtë kanë ndërhyrë për të shtyrë protestuesit, në përpjekje për t’i larguar nga zona përreth godinës së Kryeministrisë. Ende nuk janë bërë të ditura shkaqet konkrete që çuan në përshkallëzimin e situatës dhe përplasjet mes palëve.
Ndërkohë, kreu i lëvizjes Adriatik Lapaj ka deklaruar se gjatë protestës janë vërejtur persona të veshur civilë, të cilët sipas tij po fotografonin protestuesit me qëllim identifikimin dhe arrestimin e tyre më pas.
Për shkak të tensioneve, në zonë janë shtuar përforcimet e policisë, ndërsa situata vijon të monitorohet nga forcat e rendit. Autoritetet nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar mbi ngjarjen, ndërsa zhvillimet pritet të vijojnë në orët në vijim.
