Tensione dhe përleshje mes efektivëve të Policisë së Shtetit dhe aktivistëve të lëvizjes “Shqipëria Bëhet” u regjistruan këtë të diel para ambienteve të Kryeministrisë.
Çadrat e ngritura prej aktivistëve në bulevard, përballë godinës së Kryeministrisë, u larguan me forcë nga policia, duke shkaktuar përplasje fizike me protestuesit që ndodheshin në vendngjarje. Gjatë ndërhyrjes, disa prej aktivistëve u shoqëruan nga policia, ndërsa efektivët u pozicionuan më pas para godinës qeveritare.
Përplasjet u shoqëruan me lëndime fizike për disa prej protestuesve. Mes të plagosurve ishte edhe kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, i cili u dëmtua gjatë ndërhyrjes së policisë.
Pavarësisht situatës dhe plagosjes, Lapaj u bëri thirrje mbështetësve që të rikthejnë sërish çadra dhe karrige për të vijuar rezistencën, ndërsa njoftoi edhe organizimin e një proteste tjetër në ditët në vijim, më herët nga sa ishte paralajmëruar fillimisht.
