Për të tretën ditë radhazi, qarkullimi në aksin kombëtar Prrenjas–Librazhd–Elbasan–Tuneli i Krrabës–Tiranë vijon të jetë i rënduar, duke e kthyer një nga korridoret më të rëndësishme të vendit në burim kaosi, vonesash dhe rreziku për mijëra drejtues mjetesh.
Fluksi i lartë i automjeteve, infrastruktura e amortizuar dhe punimet e zvarritura po e përkeqësojnë situatën edhe këtë fundjavë, pa asnjë shenjë normalizimi. Pavarësisht pranisë së Policisë Rrugore, menaxhimi i trafikut mbetet i pamjaftueshëm.
Segmentet në punime për zgjerimin e rrugës, pjesë e Koridorit Tetë, janë kthyer në pika kritike, ndërsa trafiku ecën me ndalesa të vazhdueshme dhe radhë të gjata. Situata është alarmante sidomos në Kthesat e Murrashit dhe Kthesat e Dragostunjës, ku gropat, dëmtimet e rrugës dhe mungesa e sigurisë përbëjnë rrezik real për aksidente.
Kjo është pasojë e mungesës së investimeve serioze dhe planifikimit afatgjatë, ku punimet kryhen pa masa të mjaftueshme për menaxhimin e trafikut dhe segmentet problematike lihen për kohë të gjatë pa zgjidhje reale.
