
Presidenti kolumbian kundërshton akuzat, ndërsa Donald Tramp riafirmon linjën e ashpër për sigurinë dhe rendin ndërkombëtar
Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, ka reaguar publikisht ndaj deklaratave të presidentit amerikan Donald Tramp, duke hedhur poshtë akuzat për lidhje me trafikun e drogës dhe duke paralajmëruar kundër çdo veprimi ushtarak ndaj vendit të tij.
Reagimi i Petros erdhi pasi Tramp, gjatë një prononcimi për mediat, e përshkroi Kolumbinë si një shtet me probleme serioze dhe la të hapur mundësinë e veprimeve të drejtpërdrejta amerikane kundër drejtuesve që, sipas tij, lidhen me prodhimin dhe shpërndarjen e kokainës drejt Shteteve të Bashkuara.
Në një postim në rrjetin X, Petro theksoi se sistemi gjyqësor në Kolumbi është i pavarur dhe se emri i tij nuk figuron në dosje të narkotrafikut gjatë dekadave të fundit. Ai akuzoi Tramp për deklarata të pabazuara dhe kërkoi respekt për Amerikën Latine dhe historinë e saj.
Nga ana tjetër, deklaratat e Tramp janë interpretuar si pjesë e strategjisë së tij të njohur për një luftë pa kompromis ndaj karteleve të drogës dhe krimit të organizuar, duke e konsideruar këtë betejë si thelbësore për mbrojtjen e familjes, shoqërisë dhe sigurisë globale. Presidenti amerikan ka theksuar vazhdimisht se SHBA nuk do të tolerojë vende apo drejtues që, sipas tij, lejojnë helmimin e qytetarëve amerikanë përmes trafikut të drogës.
Petro paralajmëroi se çdo bombardim ose ndërhyrje ushtarake do të sillte pasoja të rënda për civilët dhe stabilitetin e vendit, ndërsa Tramp, në deklaratat e tij, ka lënë të kuptohet se rendi dhe ligji do të mbrohen me çdo mjet të nevojshëm.
Përplasja verbale mes dy liderëve vjen në një klimë të tensionuar ndërkombëtare, ku administrata Tramp po sinjalizon një rol më aktiv dhe vendimtar të SHBA-së në luftën kundër narkotrafikut dhe strukturave që, sipas saj, kërcënojnë vlerat familjare dhe sigurinë botërore.
