
Gert Bushati deklaron se nuk kishte dijeni për vrasje, ndërsa gjykata lë në burg katër të dyshuarit për ngjarjen
Gjykata e Shkodërs ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg për katër personat e arrestuar në lidhje me vrasjen e Hysni Ymerit, i cili humbi jetën pas një shpërthimi me tritol më 29 dhjetor.
Njëri prej të arrestuarve, Gert Bushati, ka pranuar para hetuesve se ka qenë ai që ka vendosur lëndën plasëse më 27 dhjetor, në panelin e matësve elektrikë. Në dëshminë e tij, Bushati ka deklaruar se është kontaktuar nga tre persona të tjerë, Edison Hasaj, Gjergj Zefi dhe Ergys Ibrahimi, për të kryer këtë veprim.
Sipas deklarimeve të Bushatit, ai nuk ka pasur dijeni se vendosja e tritolit do të kishte si qëllim vrasjen e një personi, duke pretenduar se i ishte thënë se veprimi kishte për qëllim vetëm frikësimin. Ai ka shtuar se është tronditur pasi ka mësuar për humbjen e jetës së 67-vjeçarit.
Nga ana tjetër, tre të arrestuarit e tjerë kanë mohuar çdo përfshirje në ngjarje dhe kanë deklaruar se nuk kanë porositur vendosjen e eksplozivit. Policia ka sekuestruar telefona celularë, ka kryer përgjime dhe ka mbledhur prova të tjera që pritet të analizohen nga organet e drejtësisë.
Lënda plasëse shpërtheu dy ditë pas vendosjes, duke i marrë jetën Hysni Ymerit. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe përgjegjësitë individuale të secilit prej të dyshuarve.
