
Gjyqi paraprak për kryebashkiakun e Tiranës do të vijojë më 19 janar për shkak të mungesës së avokatëve mbrojtës
Gjykata e Posaçme ka vendosur shtyrjen e seancës së radhës së shqyrtimit paraprak ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe personave të tjerë të përfshirë në këtë çështje. Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 19 janar.
Sipas burimeve zyrtare, shkak për shtyrjen e seancës ka qenë mungesa e dy avokatëve mbrojtës, përfshirë edhe avokaten kryesore të caktuar për mbrojtjen e Veliajt. Përmes një kërkese zyrtare, ajo ka njoftuar gjykatën se ndodhej jashtë vendit dhe ka kërkuar shtyrjen e seancës.
Në seancën e sotme nuk ka qenë i pranishëm as vetë Erion Veliaj, i cili ndodhet aktualisht në ambientet e paraburgimit në Durrës.
Gjykata e Posaçme pritet të vijojë me shqyrtimin paraprak të çështjes në seancën e ardhshme, ku do të merren vendime mbi ecurinë proceduriale të dosjes.
